Përfundimi i numërimit të votave 23 ditë pas zgjedhjeve – Kur do të bëhet shpallja e rezultateve përfundimtare?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka përfunduar procesi i numërimit të më shumë se 15 mijë e 500 fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta.
Por kur pritet të bëhet shpallja e rezultateve përfundimtare?
Sipas nenit 105 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ është e obliguar që të presë të paktën 48 orë para se të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.
Ky nen parasheh mundësinë që në PZAP në një afat brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar të paraqiten ankesat për administrimin e numërimit që është zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Sipas rezultateve të fundit të publikuara në faqen e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 40.9% apo 345,760 vota, e ndjekur nga PDK me 22.04% apo 186,302 vota, LDK 17.64% apo 149,095 vota, koalicionni AAK-Nisma Socialdemokrate 7.46% apo 63,035 vota.
Këto rezultate nuk përfshijnë votat e diasporës, ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.
Ndryshe, sonte ka përfunduar procesi i numërimit të të gjitha votave për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Lajmin e ka konfirmuar Valmir Elezi, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
“Ju njoftoj se në orën 21:00 është përmbyllur procesi i numërimit të më shumë se 15 mijë e 500 fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta, të cilat njëkohësisht janë fletëvotimet e fundit që numërohen dhe që i takojnë procesit zgjedhor të Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025. Sipas nenit 105 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ është e obliguar që të presë të paktën 48 orë para se të shpall rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës. Ky nen, parasheh mundësinë që në PZAP, në një afat brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar, të paraqiten ankesat për administrimin e numërimit që është zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Sot, është dita e fundit kur këtu në QNR ka pasur administrim të numërimit të fletëvotimeve, andaj edhe ky afat llogaritet nga dita e sotme, 5 mars 2025, ora 21:00”, tha Elezi.
Ky proces që pritej të përfundonte deri në orën 19:00 të mërkurën, ka përfunduar me dy orë vonesë.
Shkak i kësaj vonese u bë një kuti që nuk mund të numërohej pas problemeve në sistem.
Të mërkurën janë numëruar votat me kusht dhe ato të personave me aftësi të kufizuara.
Një ditë më parë, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se janë rreth 15 mijë vota me kusht, ndërsa numri i votave të personave me nevoja të veçanta është dukshëm më i ulët.
Ai ka shtuar se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka marrë një vendim të martën për të llogaritur të vlefshme disa fletëvotime që gjatë procesit të numërimit në QNR janë llogaritur të pavlefshme nga ana e ekipeve të numërimit.
Pas gati një muaj nga zgjedhjet – Përfundon procesi i numërimit të votave në QNR