Tërheqja e parave nga Trusti, flet Drejtori i Bordit: S’duhet kur të na teket t’i marrim paratë

Emanuel Bajra, kryesues i Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës ka deklaruar se është kundër tërheqjes së mjeteve të kursimeve personale.
“Unë jam kundër këtyre lëshimeve të TRUST-it. Kjo për shkak se TRUST-i duhet të kuptohet si entitet kursyes e jo investues, jo kur të na teket të shkojmë dhe t’i marrim paratë, për shkak se ajo e afekton edhe vlerën e TRUST-it vet, por e afekton edhe të ardhmen e çdo kontributdhënësi kosovar. Kështu që nuk e kisha rekomandu”, deklaroi Bajra në DPT te Fidani.
Qytetarët e Kosovës kanë pasur të drejtë që të tërhiqnin kursimet e tyre nga Trusti pas një vendimi të marrë më 2020. Ky vendim ishte marr për shkak të përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve në Kosovë, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Nga Trusti ishin tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontributpagues.
Të gjithë të punësuarit në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: 5 për qind të shumës së përgjithshme të pagës e paguan punëdhënësi nga buxheti i tij, kurse 5 për qind paguhet nga paga e punëtorit.