Pas numërimit të votave nga Ambasadat dhe atyre me postë, kështu pritet të duket legjislatura e re e Kuvendit

Pas numërimit të votave nga Ambasadat dhe atyre me postë, kështu pritet të duket legjislatura e re e Kuvendit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur numërimin e votave nga diaspora gati një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Certifikimi i plotë i rezultateve pritet të ndodhë nesër, pasi të përfundojë edhe numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, por ato nuk pritet të ndryshojnë shpërndarjen e mandateve.

Sipas të dhënave përfundimtare të KQZ-së për votat me postë, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 31.963 vota, që përbëjnë 51.57 për qind të totalit.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka dalë e dyta me 18.933 vota apo 30.55 për qind.

Në vendin e tretë është renditur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 5.878 vota, që përfaqësojnë 9.48 për qind të numrit total.

Ndërsa koalicioni AAK-Nisma ka arritur të mbledhë 2.000 vota ose 3.23 për qind të votave me postë.

Me përfundimin e numërimit të votave nga diaspora, përfshirë ato të dërguara me postë dhe ato në përfaqësitë diplomatike, tashmë kemi një pasqyrë më të qartë rreth përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 44 mijë e 224 vota, apo 57.31 për qind të totalit, LDK-ja 20 mijë e 42 vota apo 25.97 për qind të totalit, PDK-ja 7 mijë e 53 apo 9.14 për qind dhe AAK/Nisma 3 mijë e 552 apo 4.6 për qind.

Pas përfshirjes së këtyre votave ndarja e mandateve në Kuvend pritet të duket kështu: Vetëvendosje 48 deputetë, PDK 24, LDK 20 dhe koalicioni AAK/Nisma 8.

Shpërndaje në: