Daku ka bërë tatuazh për kalimin në Rusi: Pa rrezik nuk ka histori

Jo të gjithë e vlerësuan hap të duhur kur Mirlind Daku në verën e vitit 2023 iu bashkua klubit nga Rusia, Rubin Kazan.
Por sulmuesi 27-vjeçar e vlerëson hap të duhur për karrierën e tij. Madje ka bërë një tatuazh për të shënuar këtë lëvizje në karrierë. Ai ishte transferuar te Rubin Kazani nga Osijeku kroat. Tek Osijeku nuk po luante, ndërsa më parë ishte i huazuar te skuadra të ndryshme, si Kukësi, Ballkani dhe Mura në Slloveni.
Daku ka dhënë një intervistë të gjatë për sajtin zyrtar të Rubin Kazanit dhe ka folur për transferimin e papritur në kampionatin rus të futbollit. Ai u transferua kur po vazhdonte pushtimi rus i Ukrainës.
Futbolli rus vazhdon të jetë i izoluar, por futbollistë të huaj luajnë në këtë vend. Ndër të tjerë edhe lojtarë nga Kosova, ndonëse Rusia nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe nuk ka qëndrim korrekt ndaj Kosovës.
“Të jem i sinqertë, oferta e Rubinit ishte plotësisht befasi për mua. Në fillim nuk kam ditur për interesimin e klubit, pasi agjenti im nuk më tha asgjë për këtë. Kam menduar për klube të tjera evropiane dhe nuk kam shqyrtuar opsione të tjera. Agjenti më ka treguar vetëm për ofertat nga Evropa, por kur erdhi oferta e Rubinit kam menduar se ndoshta duhet ta pranoj atë. Ndoshta do të jetë e duhura, do të më ndihmoj të bëj hapin e madh para në karrierë. Për shkak të situatës që ishte në Rusi në atë kohë, babai im ishte pak i turpëruar. E kam edhe një tatuazh për shkak të kalimit tim në Rusi, te Rubini”, ka thënë Daku.
Tatuazhi i Mirlind Dakut
Në 53 paraqitje për Rubin Kazanin, Daku i ka 19 gola e dhjetë asistime.
Ai ka shpjeguar tatuazhin që e bëri në shenjë të transferimit në Rusi.
“Shkruan ‘pa rrezik, nuk ka histori’. Do të thotë se nëse dëshiron të bësh diçka, duhet të rrezikosh dhe që pa rrezikim, nuk do të ketë tregim. Ia vlen të rrezikosh për një tregim interesant. Ky tatuazh është përshkrim i transferimit tim te Rubini. Nëse qëndron ulur dhe pret që diçka të ndodhë, atëherë zgjohu dhe bëj diçka për atë. Kërko mundësitë tua”, ka theksuar Daku.
Sulmuesi ka thënë se që nga dita e parë në Rubin Kazan është ndier shumë mirë. I ka ndihmuar fakti që ka shënuar gol pak ditë pasi nisi stërvitjet me skuadrën ruse.
Daku ka thënë se e realizoi ëndrrën kur u ftua te Shqipëria. Ka treguar se e ka pritur atë moment kohë të gjatë.
“Nëse kualifikohemi në Botëror, do të jetë ndjenja më e mirë në karrierën time në futboll. Jo të gjithë lojtarët e kanë mundësinë të luajnë në Kampionat Botëror. Nëse e arrijmë këtë, do të jetë tregim i paharrueshëm për mua”, ka thënë Daku.
Ai ka folur edhe për raportet me lojtarët rusë në skuadër.
“Ndonëse flasim gjuhë të ndryshme, ende jemi si familje. Për shembull, lojtarët rusë gjithnjë i ftojnë lojtarët e huaj. Shkojmë në çdo vend së bashku. Nëse organizojnë diçka, ne shkojmë, ndonëse nuk i kuptojmë të gjitha. Shkojmë për të qenë të gjithë së bashku. Për mua është nder i madh”.
Kur është pyetur se me cilët lojtarë ka raportet më të mira, e ka përmendur fillimisht malaziasin Igor Vujaçiq. Më pas serbët Nikola Çumiq e Bogdan Joçiq, pastaj Dardan Shabanhaxhajn, që ndërkohë iu bashkua Rubin Kazanit, Marvin Çunin…
“Më duhet të përmend shumë, pasi komunikoj mirë me shumicën. Dhe jo vetëm me të huajt, por edhe me lojtarët rusë. Për shembull jetojmë në të njëjtin kat me Kaban, kështu që komunikojmë mirë me të. Jo vetëm me të, por me të gjithë”, ka treguar Daku.
Sulmuesi gjilanas e ka vlerësuar lart trajnerin e Rubin Kazanit, Rashid Rakhimov. Ka thënë se ai e ka bërë lojtar më të mirë.
“Kalimi te Rubini ishte një prej vendimeve të mia më të mira në karrierë. U jam mirënjohës presidentit, drejtorit sportiv dhe të gjithëve në klub. Nuk kam pritur se Rubini do të më trajtoj kaq mirë, të jem i sinqertë. Mundohem të bëj çdo gjë për të arritur suksese të reja së bashku. Tani e di që kam miq të mirë në Rusi, që më duan dhe i dua. Kjo është e rëndësishme për mua”, ka theksuar Daku.
Daku ëndërron që një ditë të luajë në Premier Leaguen angleze. Por të paktën deri në verë ai do të jetë në Rusi.