Numërimi i votave me postë, përditësimi i fundit nga KQZ: Prin VV, pason LDK, PDK dhe AAK-Nisma

Kanë kaluar 22 ditë që prej se në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e rregullta parlamentare.
Aktualisht në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar ende numërimi i votave me postë. Të dhënat nga ky proces për herë të fundit janë përditësuar mbrëmë në ora 23:37.
Sipas të dhënave nga 90.37 për qind të vendvotimeve të numëruara, VV prin me 51.70 për qind, më pas vjen LDK me 30.15 për qind, PDK me 9.52 për qind dhe AAK me 3.09 për qind.
Pas përfundimit të numërimit të këtyre votave, KQZ pritet të nisë numërimin e votave me kusht dhe votave të personave me aftësi të kufizuara. Në total bëhet fjalë për 15 mijë e 398 vota.
Zëdhënësi i KQZ’, Valmir Elezi, ka thënë se rezultatet përfundimtare do të shpallen pasi të përfundojnë këto procese dhe nëse s’ka ndonjë çështje që nuk është duke u shqyrtuar nga PZAP dhe Gjykata Supreme.
“Pasi të përmbyllen të gjitha këto procese dhe pasi të marrim konfirmim nga PZAP dhe Gjykata Supreme se nuk ka një çështje që është duke u shqyrtuar në këto institucione, atëherë KQZ do të mund të shpall rezultatin përfundimtar për subjekte politike dhe kandidatë për deputetë”, tha ai.