Ngrihet aktakuzë për shembjen e strehës në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ngriti aktakuzë për lëshimet që çuan në shembjen e një strehe në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.
Në këtë incident, që ndodhi më 1 nëntor të vitit të kaluar, humbën jetën 15 perosna.
Aktakuza u ngrit kundër menaxheres së zhvillimit të investimeve në kompaninë “Infrastruktura Hekurudhore e Serbisë”, Sllobodanka K., kryetarit të Komisionit për Inspektimin Teknik të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, Millutin S., dhe anëtares së këtij komisioni, Bilana K.
“Aktakuza u ngrit në lidhje me kryerjen e veprave penale me elemente korruptive, të cilat kanë rezultuar me shembjen e strehës”, tha kryeprokurori i Prokurorisë së Lartë Publike, Nenad Stefanoviq.
Ai tha se ka dyshime të arsyeshme se lëshimet e tyre, lidhen me shkakun e tragjedisë.
Prej se ka ndodhur ky incident, studentët në Serbi kanë organizuar protesta dhe bllokada masive në disa qytete të vendit, duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për rastin.
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka dhënë dorëheqje, ashtu si edhe kryetari i Novi Sadit, Millan Gjuriq.
Kërkesat e studentëve
Kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit, 2024.
Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.
Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kërkesat e studentëve janë plotësuar, por protestat e tyre vazhdojnë./REL