Trump tha se Amerika nuk do ta durojë për një kohë të gjatë, përgjigjet Zelensky

Volodymyr Zelensky ka ndarë një deklaratë duke thënë se Ukraina “ka nevojë për paqe të vërtetë” menjëherë pasi Donald Trump kritikoi sërish liderin ukrainas.
“Ne vazhdojmë punën tonë me partnerët. Ne kemi pasur tashmë bisedime dhe hapa të tjerë që do të vijnë së shpejti”, tha Zelensky në një postim në X.
“Është shumë e rëndësishme që ne të përpiqemi ta bëjmë diplomacinë tonë vërtet thelbësore për t’i dhënë fund kësaj lufte sa më shpejt të jetë e mundur. Ne kemi nevojë për paqe të vërtetë dhe ukrainasit e duan më së shumti sepse lufta shkatërron qytetet dhe qytezat tona”, shprehet Zelensky.
Ai tha se Ukraina po punon me Amerikën dhe Evropën, duke shtuar se “ne po llogarisim në mbështetjen e Amerikës në rrugën drejt paqes”.
“Ne humbasim njerëzit tanë, duhet të ndalojmë luftën dhe të garantojmë sigurinë. Paqja është e nevojshme sa më shpejt të jetë e mundur”, thotë më tej ai.
Komentet e tij vijnë pasi Trump tha se udhëheqësi ukrainas bëri “deklaratën më të keqe që mund të ishte bërë” kur tha se fundi i luftës me Rusinë është “shumë, shumë larg”.