Vinicius: Ndaj Atleticos dua një ‘Bernabeu’ të ‘çmendur’

Sulmuesi i Realit të Madridit, Vinicius Junior, u ankua për lojën e dobët të skuadrës në humbjen kundër Real Betisit, në një mbrëmje në të cilën ai luajti takimin e tij numër 300 me skuadrën madrilene.
Ai u fokusua në duelin evropian kundër Atleticos së Madridit, duke u kërkuar tifozëve madrilenë që ta kthejnë stadiumin “Bernabeu” në një ferr nesër në mbrëmje, në ndeshjen e parë të 1/8-ave në Ligën e Kampioneve.
“Ajo në Seville ishte një humbje e shëmtuar për të gjithë, por kaq. Le të shpresojmë që e marta të jetë e ‘çmendur’ në ‘Bernabeu’. Ne kemi nevojë për ju! Shihemi atje”, ka shkruar Vinicius në rrjetet sociale “X”, duke iu referuar tifozëve të Realit para ndeshjes kundër Atleticos në Champions.