Bankat në Kosovë fituan miliona euro nga tarifat dhe komisionet vetëm për një muaj

Bankat në Kosovë fituan miliona euro nga tarifat dhe komisionet vetëm për një muaj

Bankat në Kosovë kanë mbledhur 105 milionë euro të hyra vetëm nga tarifat dhe komisionet gjatë dhjetorit të vitit të kaluar, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës. Këto tarifa, që përfshijnë mirëmbajtjen e llogarive dhe shërbimet e tjera bankare, po konsiderohen të larta nga ekspertët e ekonomisë, veçanërisht krahasuar me vendet e zhvilluara evropiane. E në BQK thonë se nuk kanë mekanizma për të ndërhyrë drejtpërdrejt në uljen e tyre.

105 milionë euro të hyra vetëm nga tarifat dhe komisionet kanë arkëtuar bankat gjatë muajit dhjetor të vitit që shkoi, sipas të dhënave të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës.

Këto mjete janë mbledhur nga shërbimet që ofrojnë bankat për klientët e tyre, si mirëmbajtja e llogarisë, tarifa gjatë tërheqjeve në bankomat etj.

Sipas profesoreshës së ekonomisë, Albulena Kastrati, çmimi për ofrimin e shërbimeve nga bankat që operojnë në vend është i lartë.

“Tarifat dhe provizionet që bankat në Kosovë ngarkojnë klientët e tyre konsiderohen si relativisht të larta sidomos duke e marrë parasysh faktin që këto tarifa janë më të larta sesa ato të bankave që operojnë në vendet e zhvilluara të Evropës”, ka thënë Kastrati.

Gjatë vitit të shkuar bankat fituan 665.7 milionë euro bruto nga tarifat dhe komisionet.

Sipas BQK-së, të hyrat neto nga këto tarifa përbëjnë rreth 15.6% të totalit të hyrave operative të sektorit bankar dhe janë dukshëm më të ulëta sesa në Evropë.

“Krahasuar me sektorin bankar evropian, ky tregues është dukshëm më i vogël, ku sipas të dhënave të fundit të shtatorit 2024, të hyrat neto nga tarifat dhe komisionet në sektorin bankar evropian përbëjnë 28.5% të totalit të hyrave operative”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

BQK-ja gjatë vitit që shkoi ka pranuar në total 30 ankesa nga klientët e bankave komerciale lidhur me aplikimin e komisioneve në menaxhimin e llogarive bankare.

Në janar të këtij viti, në Kosovë ishin 2.5 milionë llogari aktive bankare, prej tyre 2.1 llogari rrjedhëse ku bankat aplikojnë nga 50 centë deri në 5 euro tarifë për mirëmbajtje mujore.

Gjithashtu në duart e kosovarëve janë edhe 1.6 milion kartela të bankave, për disa nga të cilat aplikohen tarifa për mirëmbajtje, por edhe për tërheqje të mjeteve nga bankomati.

Por në këtë institucion thonë se nuk kanë mekanizma për të ndërhyrë drejtpërdrejt në uljen e tyre.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës nuk miraton çmimet e produkteve dhe shërbimeve financiare të ofruara nga bankat në Kosovë. Ato janë çmimore të tregut të lirë dhe konkurrencës, derisa kërkohet të janë transparente dhe shpalosura në mënyrën e duhur. Nismat që rrisin konkurrencën dhe stimulojnë shërbimet financiare konkurruese janë ndërmarrë, të cilat përveç atyre të përmendura në pikën e parë, lidhen edhe me platformën për krahasim të normave të interesit”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Sipas profesoreshës Kastrati, BQK-ja nuk ka instrument që të ulë tarifat e shërbimeve të bankave, por megjithatë, mund të ushtrojë ndikimin e saj në atë drejtim.

“Është e vërtetë që sektori bankar në Kosovë operon në kuadër të një ekonomie të tregut të lirë prandaj edhe rregullatori, përkatësisht Banka Qendrore nuk mund të ndërhyj dhe t’ua përcaktoj tarifat bankave komerciale. Megjithatë, guvernatori i Bankës Qendrore mundet të paktën në mënyrë deklarative kur t’i mban takimet me kryeshefat ekzekutiv të bankave komerciale t’u kërkoj t’i lehtësojnë tarifat për klientët e tyre”, ka thënë Kastrati.

Nga të dhënat e siguruara nga KOHA del që shumica e bankave në Gjermani nuk aplikojnë fare tarifë për mirëmbajtje mujore, e disa të tjera vetëm për llogari me të hyra më shumë se 1500 euro në muaj.

Lidhur më tarifat për shërbime dhe komisione, KOHA i ka dërguar pyetje edhe Shoqatës së Bankave të Kosovës, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje.

Shpërndaje në: