Për Qeveri Properëndimore

Shkruan: Shkëlzen Maliqi
KQZ-ja në ditën e zgjedhjeve vazhdoi të zhgënjejë. Dështoi me aplikacionin e ri, të cilin nuk e kishte testuar paraprakisht. Nuk është sqaruar ende nëse ishte sulm i hakerëve të huaj apo nëse ky dështim duhet të hetohet si pasojë e ndërhyrjeve kadrovike të Qeverisë Kurti në bordet e institucioneve të pavarura. Sepse, kudo që ndërhynte në borde, puna e tyre bëhej lëmsh. Kujtoni RTK-në, e tani edhe KQZ-në, si institucionin e pavarur ndoshta më të suksesshëm dhe më të besueshëm.
A mund të shtrohet tani pyetja, madje të hetohet, pse Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e larguan arbitrarisht kryetaren e KQZ-së, Valdete Dakën, e cila gjatë mandatit të saj nuk lejonte të ndodhnin skandale të tilla!?
Por nejse, elektorati i Kosovës, që sërish lavdërohej si më i miri në rajon për sjelljen e shkëlqyer ditën e zgjedhjeve, nuk u trazua nga çalimi dhe ngadalësimi i procesit të numërimit të votave. Elektorati nuk reagoi as ndaj skandalit me raportimet preliminare të rreme në faqen e KQZ-së, të cilat i jepnin përparësi senzacionale Vetëvendosjes. Kryeministri Kurti e shfrytëzoi këtë për ta shpallur fitoren dhe për të mbajtur një fjalim të ekzaltuar dhe delirant para mbështetësve të tij, duke poshtëruar liderët e opozitës. Ai i quajti “hajvana” dhe nuk harroi që edhe votuesit e tyre t’i quajë “hajvanat”. Ky spektakël i shëmtuar i ngjante një versioni me role të përmbysura të “hajvanatit” dhe “insanllëkut” (po e shfrytëzoj edhe unë antonimin e “hajvanatit” në gjuhën turke), të cilat i gjejmë te romani alegorik i Orwell-it Ferma e Kafshëve, që stigmatizon regjimet autokratike, ku ferma (partia) e derrave mbisundon fermën njerëzore.
Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, edhe pas dy javësh nuk dihet ende rezultati final. Preliminaret mbeten të balancuara: VV-ja është subjekti më i votuar, por nuk e arriti synimin e fitores bindëse me 500 mijë vota dhe kontroll të dy të tretave të Kuvendit. VV-ja nuk ka gjasa të bëjë qeverinë e re pa lidhur koalicion me partitë e “hajvanave” dhe të “hajvanatit”.
Rreth çështjes nëse Vetëvendosja do të formojë qeverinë dhe me kë apo nëse mandati do t’i kalojë partisë së dytë, ODK-së, në Kosovë mbretëron një qetësi e çuditshme. Vetëm nëpër portale dhe kafene po llogariten numrat e deputetëve dhe opsionet e mundshme, ndonjëherë me zhurmë, por pa tensione.
Dy faktorë po e kushtëzojnë këtë qetësi. Së pari, nuk ka një fitues të qartë të zgjedhjeve. Rezultatet preliminare janë neutrale: asnjë nga pesë subjektet kryesore nuk pësoi humbje të theksuar, por asnjë nuk fitoi bindshëm. Numri i deputetëve të nevojshëm për krijimin e qeverisë së ardhshme është pothuajse në ekuilibër. Prandaj, pritet të sqarohet saktësisht kujt do t’i shkojnë më shumë votat e diasporës, pasi bëhet fjalë për dy ose tre mandate, që do të përcaktojnë kahjen e koalicioneve më të mundshme. Pyetja mbetet: kush do të jetë boshti i qeverisë, VV-ja apo opozita?
VV-ja, natyrisht, e ka të drejtën e parë për të tentuar të mbledhë mbi 60 deputetë. Por nëse nuk arrin të afrojë asnjërën nga tre subjektet më të mëdha të opozitës, atëherë topi kalon te opozita. Dhe opozita, nëse i tejkalon animozitetet e ndërsjella, si forcë e bashkuar (PDK + LDK + AAK/Nisma + deputetët e pakicave joserbe), do t’i ketë numrat shumë më premtues sesa VV-ja për të formuar qeverinë e re, ndonëse pa arritur dy të tretat për një pushtet më afatgjatë. Në këto kalkulime, ku pritet të plotësohet numri i panjohur i deputetëve shtesë (2, 3 ose 4), opinioni mbetet i heshtur. Edhe negociatat e fshehta mes subjekteve, që po përflitet se janë në zhvillim e sipër, nuk duken ende rezultative.
Ajo që është me rëndësi tani është të kihet parasysh momentumi i ri i zhvillimeve tektonike në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pas zgjedhjeve në SHBA dhe startit tejet ofensiv të presidentit Trump, ky duhet të jetë një faktor shumë më i rëndësishëm për përbërjen dhe orientimin e qeverisë së re sesa thjesht numrat.
Nëse është e vërtetë se fituesi relativ i zgjedhjeve është Vetëvendosja dhe Albin Kurti, po kështu është e vërtetë se totali i votave të tre partive opozitare shqiptare e tejkalon atë të VV-së. Kjo shumicë opozitare identifikohet qartësisht si me orientim properëndimor. Nga ana tjetër, Vetëvendosja, me politikat e saj gjatë pesë viteve në pushtet, edhe pse deklarativisht mundohet të paraqitet si properëndimore, ndodhet nën sanksione, ka humbur besimin e partnerëve strategjikë perëndimorë dhe vlerësohet si ideologjikisht dhe praktikisht – antiperëndimore.
Në këtë kontekst, heshtja që mbizotëron aktualisht në Kosovë mund të interpretohet si një reflektim i humbjes së shumicës së përkrahjes që Vetëvendosja kishte në mandatin e kaluar. Prandaj, qeveria e re duhet të jetë patjetër properëndimore, sepse ky është vullneti i shumicës shqiptare dhe i shumicës së partive të pakicave joserbe. Në situatën e trazuar dhe të rrezikshme që po zhvillohet në marrëdhëniet ndërkombëtare me një shpejtësi marramendëse, Kosova nuk e ka luksin të bëjë lojëra me orientimin properëndimor të sovranit.
Ky është shansi edhe për Albin Kurtin që të ulë kokën dhe të dëshmojë se e respekton vullnetin e sovranit. Madje, ka rastin të dëshmojë se nuk është antiamerikan dhe antiperëndimor.
Mbi këtë platformë, ndoshta për një periudhë të shkurtër njëvjeçare apo dyvjeçare, Kosova duhet të krijojë një qeveri të përqendruar nga të gjitha subjektet properëndimore, duke lënë anash ndasitë, smirat dhe interesat e ngushta individuale e grupore. Në rend të ditës do të jenë çështjet më jetike të sovranitetit dhe mbijetesës në kohën e stuhive politike që po e tronditin rendin e vjetër botëror për të krijuar një të ri.
Nëse Kurti nuk mund të bindet që të përkrahë këtë lloj qeverie, ai të paktën nuk duhet ta pengojë krijimin e saj, sepse nuk e ka më shumicën e popullit të Kosovës pas vetes. Edhe Hamza, Abdixhiku dhe Haradinaj nuk duhet të bëjnë kalkulime, por të bashkëpunojnë mbi platformën properëndimore. Këtë mandat e kanë gjithsesi, duke riparuar marrëdhëniet e ftohura me vendet aleate dhe me Shqipërinë, të cilat po i lë pas qeveria Kurti.