Nga 16 vjet burgim për vrasje, Prokuroria kërkon rritjen e dënimit në Apel kurse mbrojtja uljen

Në Gjykatën e Apelit u shqyrtuan ankesat mbi dënimin e Agron Vllasaliut dhe Arlind Ahmetit, të cilët u dënuan me nga 16 vjet burgim për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Prokuroria kërkoi rikualifikimin e veprës në “Vrasje të rëndë” dhe ashpërsimin e dënimit, ndërsa mbrojtja argumentoi për uljen e tij.
Në seancë, u shqyrtuan ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të palës së dëmtuar dhe përfaqësuesve ligjorë, përfshirë avokatin Fanol Krasniqi dhe mbrojtësit e të akuzuarve, Arlind Ahmetit, avokatin Asdren Hoxha, si dhe Agron Vllasaliut, avokatin Florent Latifaj.
Në tetor 2024, Vllasaliu dhe Ahmeti janë dënuar në rigjykim me nga 16 vite burim për vrasjen e ndodhur në qendër të Prishtinës.
Fillimisht, kryetari i kolegjit, gjykatësi Zydih Haziri, hapi seancën dhe kërkoi nga gjykatësi referues, Xhevdet Abazi, të paraqiste rastin, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi Abazi sqaroi se ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka parashtruar ankesë Prokuroria Themelore, duke kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe jo për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
Po ashtu, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Krasniqi, ka paraqitur ankesë duke kërkuar që të aprovohet kërkesa e Prokurorisë. Ai argumentoi se vendimi thekson se mes të dëmtuarit dhe të ndjerit ka pasur vetëm një komunikim, ndërsa nga shkresat e lëndës kuptohet se ka pasur më shumë kontakte.
Nga ana tjetër, avokati Hoxha theksoi se Gjykata e Shkallës së Parë ka shqiptuar dënime shumë të larta, duke kërkuar nga Apeli të rishqyrtojë elementin e bashkëkryerjes mes të akuzuarve dhe të vlerësojë rrethanat lehtësuese.
Avokati Latifaj argumentoi se dy të akuzuarit janë shpallur fajtorë për armëmbajtje për të njëjtën armë, çka, sipas tij, është e papranueshme dhe nuk mund të sjellë dënime për të dy.
Në përfundim të seancës, gjykatësi Haziri njoftoi se palët do të informohen me kohë për vendimin e Gjykatës së Apelit.
Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2019, pas rikualifikimit të veprës penale, shpalli fajtor Arlind Ahmetin për shtytje në vrasje të rëndë, duke e dënuar me 17 vjet burgim. Ndërkohë, Agron Vllasaliu ishte në arrati.
Gjykata e Apelit, në nëntor të vitit 2019, vendosi që çështja të rigjykohet nga Gjykata e Shkallës së Parë, me arsyetimin se aktgjykimi i 16 prillit 2019 ishte në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Më 13 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli sërish aktgjykim dënues për të akuzuarit Agron Vllasaliu dhe Arlind Ahmeti, duke i dënuar me nga 21 vjet burgim për vrasje të rëndë në bashkëkryerje ndaj tani të ndjerit N.S., në vitin 2017 në Prishtinë.
Ndërkohë, Gjykata e Apelit, më 23 mars 2023, pas shqyrtimit të ankesave të përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, avokatit Nexhmedin Sejdiu, dhe mbrojtësve të të akuzuarve, avokatëve Asdren Hoxha, Fitim Malokaj dhe Florent Latifaj, anuloi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe e ktheu çështjen për rigjykim.
Sipas aktakuzës së ngritur më 13 korrik 2021, Agron Vllasaliu akuzohet se më 24 nëntor 2017, në bazë të një marrëveshjeje paraprake me të pandehurin Arlind Ahmeti, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin N.S. dhe kanë rrezikuar jetën e të dëmtuarve Behar Sahiti, Lumbardh Kukaj, Freskim Farizi, R.K. dhe Mërgim Kqiku.