Macron e quan të paparashikueshëm Trumpin, u kërkon europianëve të refuzojnë të bëhen ‘vasalë të lumtur’ të SHBA-së

Gjatë një vizite shtetërore dyditore në Portugali, presidenti francez Emmanuel Macron u bëri thirrje europianëve të tregohen “më të bashkuar dhe më të fortë se kurrë”, raportojnë AFP dhe mediat lokale.
Ai paralajmëroi të enjten se kur bëhet fjalë për SHBA-në, “nënshtrimi nuk është përgjigjja”, duke shtuar se ai “nuk është për vasalitet të lumtur”.
Ai u bëri thirrje europianëve që të “rizbulojnë shijen e rrezikut, ambicies dhe fuqisë”, përballë paparashikueshmërisë së Donald Trump, si për çështjen e Ukrainës ashtu edhe për tarifat doganore.
Macron ishte i pari nga tre liderët që takoi Trump këtë javë për të diskutuar luftën në Ukrainë. Gjatë bisedimeve të hënën, Macron foli për mënyrën sesi të dy vendet donin paqen dhe ranë dakord se Europa duhej të merrte më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj.
Gjithashtu, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer është takuar me presidentin e SHBA-së, të cilët diskutuan shumë tema, përfshirë edhe vendosjen e paqes në Ukrainë, ndërsa sot pritet që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të shkojë në Shtëpinë e Bardhë./Express/