Memli Krasniqi: Referendumi i Albin Kurtit ka dështuar, gara ende nuk ka përfunduar

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve të fundit, duke vënë theksin te rezultati i Lëvizjes Vetëvendosje dhe objektivat e saj gjatë fushatës.
Sipas tij, pavarësisht se LVV ka dalë partia e parë, ajo nuk ka arritur synimet e shpallura nga kryetari i saj, Albin Kurti.
“Mos të harrojmë që megjithatë, sot Lëvizja Vetëvendosje ka një numër shumë të vogël të votave. Duhet me u kthye te fillimi i fushatës. Zoti Kurti ka lyp referendum, zoti ka lyp 500 mijë vota. Zoti Kurti nuk i ka marrë ato vota dhe referendumi i ka dështuar. Se referendumi duhet me i pas 50 plus 1”, ka thënë Krasniqi në Debat Plus.
“Pra, nëse dëshirojmë me i shiku rezultatet prej perspektivave. Prej perspektivës që ka dal i pari Në atë situatën e tij, që tash u bë e famshme. Sikur të ishte kjo garë automobilistike i ka fituar zgjedhjet, ka dal i pari. Por meqenëse nuk është garë automobilistike, po kjo garë është me një sistem parlamentar me të cilin ne funksionojmë, demokrat e liberal është kush e bën shumicën. Atëherë gara ende nuk ka përfunduar”, ka shtuar Krasniqi.
Sipas rezultateve preliminare, që përfshijnë numërimin e votave të rregullta, Vetëvendosje është e para me 40.80% të votave të fituara, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.05%.
E treta ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.64% të votave, pasuar nga AAK-Nisma me 7.46%.