Avullimi i 800 mijë eurove/ Veliaj tregon se a ishte në dijeni për shpenzimet e gruas së tij

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka folur në lidhje me akuzat ndaj bashkëshortes së tij dhe shifrave që sipas dosjes rezultojnë të jenë shpenzuar prej Ajola Xoxës.
Veliaj, i cili prej disa ditësh ndodhet në qeli pas vendimit të GJKKO, ka dhënë një intervistë me shkrim këtë të enjte për emisionin Top Story me Grida Dumën.
Pyetje: A ke pasur apo jo dijeni për shpenzimet e bashkëshortes tënde Ajola Xoxa? A e ke ditur që janë shpenzime personale apo të bizneseve të saj? A ke pasur dijeni për shifrat e këtyre shpenzimeve?
Erion Veliaj: “Bashkëshortja ime vjen nga një familje e nderuar, e pasur dhe me 17 vjet karrierë në studio e biznes privat. Ka shpenzuar prej të ardhurave të saj vetëm 50,000 lekë në muaj nga karta e saj personale, në total 7 milionë lekë të reja në rreth një dekadë. Të mbledhësh gjithë bilancet vjetore të 7-8 enteve që merren me teatro, skenografi, videoklipe, opereta, mjuzikalë, sfilata mode, photo shooting, dhe garderobat skenike në 17 vite t’i trajtosh si personale në një ditë, është ligësi e misogjeni. Janë të gjitha të deklaruara nga secili ent, me taksa, dogana e TVSH në rreth dy dekada.
Pra, nuk kemi asgjë në një veting 20 vjeçar, të vetmin në Republikë, për të shoqin Erion Veliaj, dhe tani do i qepemi gruas, lodrave të djalit, makinës së vjehrrit të vdekur, vëllait, nënës – kujtdo, vetëm ta heqim nga fushata këtë që na mundi thellë në 2015, 2017, 2019, 2021, 2023 dhe (sapo të dal nga këtu) edhe në 2025, në një Tiranë më të pastër, më të bukur, më të vlerësuar ndërkombëtarisht, me 45 shkolla ultra moderne, plus 110 kopshte e çerdhe, Teatër të ri, Shesh të ri, Park të ri, Bulevard të ri, Unazë të re, Kala të re, Kopësht të ri Zoologjik, që Saliu-Luli-Olsi as kishin ide e kurajo t’i bënin”, ka thënë Veliaj.