Gjykata e Lartë e la në burg, Ilir Meta reagon nga qelia

Ilir Meta ka reaguar nga qelia përmes një audioregjistrimi pas vendimit të Gjykatës së Lartë që rrëzoi rekursin e depozituar prej tij duke e lënë në masën e arrestit me burg.
Meta e cilëson vendimin një hap pozitiv për të tejkaluar një pengesë fiktive drejt Gjykatës së Strasburgut, ku siç tha do dalë i fituar.
“Për çështjen Meta sot hodhëm një hap pozitiv se kaluam edhe një pengesë fiktive, Gjykatën e Lartë që nuk ekziston që të ecim më shpejt në Gjykatën e Strasburgut, ku do fitojmë siç kemi fituar edhe në Venecia kundër ramareformës. Dhe mos harroni se 2 marsi po vjen dhe 5 vjetori i mitingut madhështor falë të cilit u çmontua botërisht ramareforma si pjellë e ligjeve antikushtetues. Iu bëj thirrje gjithë simpatizantëve të PL, të gjithë drejt 11 majit, bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit të regjistrohen që narkoregjimi të hidhet në Lanë”, dëgjohet të thotë presidenti i PL me mesazhin e tij.
Meta ndodhet në paraburgimin “Jordan Misja” që prej tetorit 2024. Ai akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie në lidhje me çështjet CEZ-DIA, lobimin e ish-LSI në SHBA dhe shpenzimet e familjes së tij. /euronews.al