Lekaj pas vendimit të Apelit: Dënimi nga Gjykata më dëmtoi në zgjedhje, do të dalë i pafajshëm në rigjykim

Lekaj pas vendimit të Apelit: Dënimi nga Gjykata më dëmtoi në zgjedhje, do të dalë i pafajshëm në rigjykim

Ish-Ministri Pal Lekaj e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila sot e ktheu në rigjykim rastin ndaj tij për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” lidhur me rastin e njohur si “53 milionëshi”, teksa ka thënë se beson fuqishëm në pafajësinë e tij.

Në një deklaratë për Reporteri, Lekaj ka thënë se vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës e cila e kishte dënuar me 3 vite e 8 muaj burgim ishte skandaloz dhe se e ka dëmtuar në zgjedhje.

Lekaj ka thënë se kjo është hera e parë që s’ka arritur t’i sigurojë votat për t’u bërë deputet.

“Po, dënimi i shkallës së parë ishte skandaloz dhe më ka dëmtuar personalisht, profesionalisht, familjarisht dhe politikisht. Është hera e parë që, edhe pse nuk kemi ende certifikimin e rezultateve nga KQZ, unë nuk kam arritur votat për t’u bërë deputet. Megjithatë, besoj fuqishëm në pafajësinë time dhe jam i bindur se kjo do të vërtetohet nga gjykata”, ka thënë Lekaj.

Lekaj ka thënë se nuk beson se publikimi i vendimit pas zgjedhjeve mund të ketë qenë me prapavijë, por thotë se nëse veç diçka e tillë ka ndodhur do të ishte precedent i rrezikshëm për demokracinë.

“Nuk besoj në këtë hipotezë, sepse besoj në pavarësinë e pushteteve. Megjithatë, nëse kjo ka ndodhur, do të ishte një precedent i rrezikshëm për demokracinë e vendit”, ka shtuar Lekaj.

Ai është shprehur i bindur se në rigjykim do të shpallët i pafajshëm.

“Unë besoj në drejtësinë e institucioneve të Republikës së Kosovës. Ky vendim ka qenë në pritje për gati gjashtë muaj dhe besoj fuqishëm në pafajësinë time. Siç e kam thënë disa herë, bashkë me mbrojtjen time, avokatin Artan Qerkini, vendimi i shkallës së parë ishte skandaloz”, ka thënë Lekaj.

Në fund, ai ka falënderuar avokatin Artan Qerkimi për punën dhe angazhimin e tij.

Edhe Qerkini bë një prononcim për Reporteri, e ka cilësuar si të drejtë këtë vendim teksa është shprehur i bindur se në rigjykim Lekaj do të shpallet i pafajshëm.

“Po, është kthy në rigjykim, sapo e kuptuam një fakt të tillë. Vendimin e Gjykatës së Apelit e konsideroj të drejtë sepse pretendimet ankimore kanë konsistuar në vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, zbatimin e gabuar të ligjit e po ashtu shkelje procedurale, të cilat besojmë se do të evitohen në rigjykim dhe pas një procedure të drejtë ku do të respektohet standardi i gjykimit të drejtë z.Pal Lekaj do të shpallet i pafajshëm”, ka thënë Qerkini.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”.

Për këtë akuzë, sipas aktgjykimit të shpallur më 31 janar 2024 nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Pal Lekaj ishte dënuar me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata shpalli edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.

Nebih Shatri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim, kurse Besim Tahiri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tyre u shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Ndërsa, Eset Berisha u dënua me 3 vite e 3 muaj burgim.

Po ashtu, ndaj Berishës ishte shpallur edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

Shpërndaje në: