Juncker kundër anëtarësimit të plotë të Ukrainës në BE: Mos i jepni të drejtë vote

Ish-presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka deklaruar se Bashkimi Evropian nuk mund ta pranojë Ukrainën si anëtare me të drejta të plota. Juncker ka theksuar se për shkak të problemeve të brendshme që ka Ukraina, mund t’i ofrohet vetëm një anëtarësim i kufizuar, pa të drejtën e votës.
“Për shkak të korrupsionit, ekonomisë së dobët dhe mungesës së strukturës shtetërore, Ukraina është e papranueshme për t’u anëtarësuar në këtë moment”, ka theksuar Juncker.
Ai ka këshilluar Brukselin që të ofrojë një nivel të dytë anëtarësimi, që do të mundësonte aksesin në tregun e përbashkët, një zë për debatet e rëndësishme, por pa të drejtën e votës në tryezën e vendeve anëtare, raporton euronews.
Juncker ka pranuar se Kievi ka bërë progres në frenimin e korrupsionit dhe zhbërjen e oligarkisë, por ka theksuar se do të ishte më tepër në favor të një anëtarësimi jo të plotë.
“Ukraina mund të ketë akses në BE, por jo të ketë të drejtën e votës në Këshillin Evropian, ku të 27 vendet anëtare debatojnë dhe votojnë për çështje të rëndësishme të bllokut”, ka shtuar Juncker.
Ai ka përmendur se nuk dëshiron të japë përshtypjen se Ukraina është larg anëtarësimit, por dëshiron t’i tregojë se është në rrugën drejt anëtarësimit, pa pasur të gjitha të drejtat që rrjedhin nga një anëtarësim i plotë.