Less: Trump do të veprojë në Ballkan ashtu si në Ukrainë – po hidhen bazat për një zgjidhje “ndarje për njohje” mes Kosovës dhe Serbisë

Less: Trump do të veprojë në Ballkan ashtu si në Ukrainë – po hidhen bazat për një zgjidhje “ndarje për njohje” mes Kosovës dhe Serbisë

Donald Trump dëshiron t’i jap fund luftës në Ukrainë në mënyrën e tij, thotë Timothy Less, të cilin duket se nuk e kanë befasuar aspak lëvizjet e fundit të presidentit amerikan. Marrëveshja, thotë ai, bazohet në një “vlerësim brutalisht realist të balancës së fuqisë në terren” dhe “qëllimit strategjik të SHBA-së për ta thyer boshtin Kinezo-Rus”.

Ish-diplomati britanik mendon se Trump i sheh europianët të parëndësishëm për ta zgjidhur këtë çështje, dhe madje edhe si pengesë që do të mund ta rrezikonte çdo shans për një marrëveshje që do të ishte e pranueshme për Rusinë.

Presidenti amerikan udhëhiqet nga logjika që “vepron në bazë të botës ashtu siç është, jo sipas botës siç do të donte të ishte”, i tha Less. Zhvillimet e fundit rreth Ukrainës, ai thotë se kanë treguar se “SHBA-ja pranon ndryshime kufijsh nëse kjo ndihmon për ta zgjidhur një problem”.

“E gjithë kjo ka relevancë të drejtpërdrejtë me Ballkanin ku logjika e pozicionit të Trumpit në Ukrainë çon në ndarjen e Kosovës si zgjidhje e përhershme për statusin e saj të pazgjidhur, ndoshta e shoqëruar me shkëputjen e Luginës së Preshevës nga Serbia. Kjo gjithashtu tregon për një zgjidhje të re politike në Bosnjë, që përfshin ose autonomi më të madhe për Republika Srpska-n, ose pavarësinë dhe bashkimin e saj me Serbinë”, thotë ai për Express.

Sipas Less, gjërat mund të shkojnë kështu: “fillimisht Ukraina, pastaj Ballkani”. Ai pret që Trump do të përpiqet ta zgjidhë përfundimisht çështjen mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa Bashkimi Europian do të përpiqet t’i mbajë negociatat në Bruksel.

“Pra, unë shoh se gjërat do të zhvillohen në Ballkan ashtu si në Ukrainë – europianët si MB dhe Gjermania do të flasin ashpër, do t’i ekspozojnë parimet e tyre dhe do të kërkojnë që gjërat të zgjidhen sipas konceptit të tyre të moralit dhe ligjit. Por në praktikë europianët do të bëjnë pak për t’i zbatuar qëndrimet e tyre, duke e lënë SHBA-në ta zgjidhë çështjen e Kosovës ashtu siç dëshiron”.

Less thotë se Richard Grenell, i dërguari i Trump për misione speciale, tashmë po i hedh bazat për një zgjidhje të bazuar në “ndarje për njohje”.

INTERVISTA

 Si e vlerësoni nxitimin e Presidentit Trump për ta mbyllur çështjen e luftës së Rusisë në Ukrainë?

Less: Ai dëshiron t’i japë fund luftës dhe po e bën këtë në një mënyrë tipike Trumpiane. Marrëveshja bazohet në një vlerësim brutalisht realist të balancës së fuqisë në terren dhe qëllimit strategjik të SHBA-së për ta thyer boshtin Kinezo-Rus. Kjo do të thotë se marrëveshja detyrimisht e favorizon Rusinë – ai po e pranon kërkesën kryesore të Moskës që Ukraina të mos anëtarësohet në NATO dhe po ia jep Rusisë territorin që ajo e ka kapur në lindje. E gjithë kjo është padyshim e papranueshme për Ukrainën, prandaj SHBA-ja po ushtron presion mbi Kyivin, prandaj është breshëria e komenteve negative nga Trump për Ukrainën, kërcënimet për t’i dhënë fund financimit dhe përpjekjet për ta hequr Presidentin Zelenskiy, i cili heziton të bëjë kompromis.

 Si mund të vazhdojë marrëdhënia mes Europës dhe SHBA-së, pasi Trump duket se po i lë europianët jashtë negociatave me Rusinë?

Less: Unë mendoj se Trump i sheh europianët si të parëndësishëm për zgjidhjen e luftës, pasi ata kanë dështuar ta bëjnë këtë për tre vjet, dhe si pengesë për planet e tij. Shumë qeveri në Europë e mbështesin Ukrainën dhe përfshirja e tyre në këtë fazë do ta rrezikonte çdo shans për një marrëveshje që është e pranueshme për Rusinë. Ajo që ai duket se dëshiron në vend të kësaj është që t’i dakordojë parametrat e një marrëveshjeje me Rusinë, pastaj të ushtrojë presion mbi Ukrainën që ta pranojë atë dhe t’i përfshijë europianët vetëm në fazën e zbatimit – duke garantuar sigurinë e Ukrainës, duke e rindërtuar ekonominë e saj dhe duke e integruar atë në BE.

Por ka më shumë se kaq në marrëdhëniet SHBA-Europë sesa Ukraina. Trump ka thënë se dëshiron të shkëputet ushtarakisht nga Europa dhe t’ua kalojë përgjegjësinë për sigurinë e kontinentit vetë europianëve. Ai ka kërcënuar me tarifa tregtare në kontinent. Ai po e kërcënon edhe territorin e Europës me pretendimet e tij ndaj Greenlandës. Dhe ai po i mbështet partitë kryengritëse si AfD, e cila po e shqetëson establishmentin politik të Europës. Kështu që e gjithë marrëdhënia është në një fazë fluksi. Europianët po e ndjejnë një kombinim alarmi, frike dhe tradhtie, dhe bisedimet po fillojnë me shpejtësi për mënyrat për t’i mbrojtur interesat e tyre, siç është krijimi i një aleance të re mbrojtëse europiane.

 Po Mbretërinë e Bashkuar, a mendoni se Trump nuk po e përfshin në negociata thjesht për shkak të qeverisë britanike?

Less: Trump ka qenë i butë me Mbretërinë e Bashkuar deri tash. Vetëm mund të spekulojmë për arsyet, por ato ndoshta kanë të bëjnë me lidhjet paraardhëse të Trumpit me Skocinë, marrëdhënien e tij të ngushtë me Nigel Farage dhe përpjekjet e dukshme të qeverisë laburiste për t’u sjellë mirë me Trumpin që nga zgjedhja e tij. ‘Tweet’-at e Trump, Musk dhe të tjerëve në administratë sugjerojnë se ata ndjejnë më shumë keqardhje sesa armiqësi për Britaninë – një superfuqi e dikurshme dhe vendlindja e shtetit demokratik liberal, e cila po bëhet gjithnjë e më e varfër, e parëndësishme dhe autoritare.

Si mendoni se mund të përfundojë lufta në Ukrainë? Çfarë do të përmbajë rezultati? Si mund të ndikojë ai në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Kosovë, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë?

Less: Ne nuk e dimë ende se si do të përfundojë lufta – do ta zbulojmë në muajt e ardhshëm – por tashmë mund t’i nxjerrim disa konkluzione. Mund të shohim, për shembull, se administrata Trump udhëhiqet nga një logjikë realiste, e përcaktuar nga interesat strategjike të SHBA-së dhe jo nga ndjenja apo morali, dhe se ajo vepron në bazë të botës ashtu siç është, jo sipas botës siç do të donte të ishte. Mund të shohim se SHBA-ja pranon ndryshime kufijsh nëse kjo ndihmon për ta zgjidhur një problem. Dhe ne mund të shohim se SHBA-ja dëshiron t’i zgjidhë në vend se t’i ngrijë konfliktet e Europës, duke i lejuar SHBA-së ta zvogëlojë praninë e saj në Europë.

E gjithë kjo ka relevancë të drejtpërdrejtë me Ballkanin ku logjika e pozicionit të Trumpit në Ukrainë çon në ndarjen e Kosovës si zgjidhje e përhershme për statusin e saj të pazgjidhur, ndoshta e shoqëruar me shkëputjen e Luginës së Preshevës nga Serbia. Kjo gjithashtu tregon për një zgjidhje të re politike në Bosnjë, që përfshin ose autonomi më të madhe për Republika Srpska-n, ose pavarësinë dhe bashkimin e saj me Serbinë.

A mendoni se një fund i shpejtë i “problemit” në Ukrainë do t’i linte kohë Administratës Trump të merrej edhe me zgjidhjen përfundimtare të çështjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Less: Gjërat mund të shkojnë kështu – fillimisht Ukraina, pastaj Ballkani. Nëse përpjekjet për paqe në Ukrainë ngecin, administrata Trump mund të shikojë nga Ballkani. Nuk mendoj se administrata po punon për ndonjë masterplan për Europën Lindore. Ajo që vërtet mund ta ndryshojë lojën është nëse gjërat nxehen në Ballkan, sa serbët e Bosnjës përpiqen ta thellojnë autonominë e tyre dhe ndoshta pavarësinë eventuale. Kjo mund të çojë në një lloj krize, ta tërheqë vëmendjen e SHBA-së ndaj rajonit dhe ta detyrojë atë të gjejë se si të merret me dy mosmarrëveshje aktive etno-territoriale, në Republika Srpska dhe në Kosovë. Nëse do të më duhej të hamendësoja, zgjidhja e Trump do të ishte një shkëmbim territoresh ku Serbia do ta shkëmbente Kosovën (minus veriun) me Republika Srpska.

 A besoni se Administrata Trump mund ta mbyllë çështjen mes Kosovës dhe Serbisë?

Less: Do të përpiqet, bazuar në idenë e ndarjes në këmbim të njohjes dhe mund të ketë sukses. Por shumica e shqiptarëve nuk e pranojnë ndarjen, ndaj do të jetë e vështirë për të siguruar bashkëpunimin e tyre. Pyetja që kam në mendje se sa larg do të shkojë Trump për t’i akomoduar serbët dhe për të bërë presion mbi shqiptarët për ta arritur këtë rezultat. Si do të reagonte nëse serbët do ta ndërmerrnin hapin radikal për ta vendosur ushtrinë e tyre në veri të Kosovës?

 Si do të gjenden Bashkimi Europian dhe Mbretëria e Bashkuar për këtë çështje tani që Trump është në Shtëpinë e Bardhë?

Less: Shoh ndarje. Nga njëra anë do të jenë qeveritë liberale si ajo e Gjermanisë dhe e Mbretërisë së Bashkuar, të cilat janë tronditur nga qasja e Trumpit ndaj Ukrainës, e kundërshtojnë ndërhyrjen amerikane në Ballkan dhe e kundërshtojnë çdo ndarje të Kosovës. Pres që ata të insistojnë në pronësinë europiane të negociatave. Nga ana tjetër do të jenë qeveritë konservatore, si ajo e Hungarisë, të cilat e mbështesin një rol të Administratës Trump në Kosovë dhe pranojnë ndryshime kufijsh nëse kjo është ajo që është e nevojshme për ta zgjidhur statusin e Kosovës.

Megjithatë, pika më thelbësore për europianët do të jetë e jorelevanca e tyre. Tash për tash, ata janë të dobët, pasi i kanë lënë ushtritë e tyre të dobësohen dhe i kanë lënë ekonomitë e tyre të stagnojnë. Ata janë të vetë-absorbuar, duke ndjekur prej vitesh politika që i kanë çuar në krizë të brendshme politike. Ata janë ngurrues për t’iu kundërvënë SHBA-së, ndërkohë që Trump po e kërcënon Europën me tarifa dhe masa të tjera ndëshkuese. Dhe shumica thjesht nuk kujdesen mjaftueshëm për Ballkanin, një vend në të cilin nuk kanë interesa strategjike, për të dëshiruar të përfshihen.

Pra, unë shoh se gjërat do të zhvillohen në Ballkan ashtu si në Ukrainë – europianët si MB dhe Gjermania do të flasin ashpër, do t’i ekspozojnë parimet e tyre dhe do të kërkojnë që gjërat të zgjidhen sipas konceptit të tyre të moralit dhe ligjit. Por në praktikë europianët do të bëjnë pak për t’i zbatuar qëndrimet e tyre, duke e lënë SHBA-në ta zgjidhë çështjen e Kosovës ashtu siç dëshiron.

 Në intervistën tuaj të fundit për Express, keni parashikuar se Administrata Trump do ta braktisë Marrëveshjen e Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. A mund të ketë një ripërcaktim të kufijve?

Less: Po, kjo është ajo që mendoj – administrata Trump do ta braktisë marrëveshjen e Ohrit, e cila është një shkronjë e vdekur në letrën e shkruar nga BE-ja dhe në vend të kësaj do ta ndjekë një marrëveshje që përfshin njohjen e Kosovës nga Serbia në këmbim të ndarjes së Kosovës dhe bashkimit të veriut të banuar me serbë me Serbinë.

Në këtë drejtim, një zhvillim i madh që ka ndodhur që kur folëm për herë të fundit në dhjetor është se SHBA-ja e ka adobtuar një qëndrim haptazi revizionist për çështjen e kufijve, duke përfshirë kërcënimet për aneksimin e Greenlandës, Kanadasë dhe kanalit të Panamasë, dhe marrëveshjen për ndarjen e Ukrainës nga Rusia. Pra, ajo që mund të themi me siguri është se SHBA-ja nuk do të ketë asnjë kundërshtim parimor për t’i rivizatuar kufijt në Ballkan, nëse kjo u shërben interesave amerikane.

 Mund t’i keni parë disa komente të Richard Grenell për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe qeverinë aktuale. A parashihni se Kosova të ketë më shumë probleme me SHBA-në?

Less: Po, mendoj se ardhja e administratës Trump është një lajm i keq për Kosovën. Richard Grenell është duke hedhur bazat për një zgjidhje të bazuar në ndarje për njohje, dhe tashmë po ushtron presion mbi Kosovën në masën që ajo refuzon ta pranojë këtë. Prisni më shumë nga ky presion në të ardhmen.

Shpërndaje në: