Policia gjermane në kërkim të vëllait të Besar Nimanit, avokati thotë se do të vetëdorëzohet

A ishin të shtënat një akt hakmarrjeje? Aktualisht policia është vënë në kërkim të Berat Nimanit, vëllait të boksierit të ndjerë ndjerë Besar Nimani. Ai konsiderohet i dyshuar dhe mund të ketë qenë i përfshirë në të shtënat që ndodhën ditën e djeshme.
Në ditën e parë të gjyqit, Berat Nimani tha për mediumin gjerman BILD: “Një nga vrasësit e Besarit po ecën i lirë. Që nga vdekja e tij ne kemi jetuar në frikë të vazhdueshme.”
Avokati i tij, Peter Wüller u deklarua për BILD: “Kam pasur disa kontakte me Nimanin menjëherë pas aktit tepër gjakftohtë në mes të ditës në Bielefeld. Ai më kërkoi ta përfaqësoja atë.”
Ai ka thënë se klienti i tij do të dorëzohet në ditët në vijim.
“E gjithë situata është shumë konfuze,” thotë avokati. “Pasi të kem marrë një pasqyrë të rastit dhe të flas me prokurorin publik, klienti im do të shkojë në polici dhe do të dorëzohet”. Kjo do të ndodhte në ditët në vijim, por ndoshta jo këtë javë.
Gjatë ditës së djeshme, një person ka vdekur dhe katër të tjerë janë plagosur pas një shkëmbimi zjarri pranë gjykatës së Bielefeldit në Gjermani, ku po zhvillohej procesi gjyqësor për vrasjen e boksierit kosovar, Besar Nimani.
Të shtënat ndodhën të mërkurën rreth orës 13:30, menjëherë pas përfundimit të seancës gjyqësore kundër Huseyin Akkurt, i akuzuar për vrasjen e Nimanit në mars të vitit 2024.
Dy nga të plagosurit janë identifikuar si familjarë të të pandehurit. /Reporteri.net/