Gjykata Speciale merr vendim për pretendimet e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK’së, se gjyqtarët po ia mbajnë krahun Prokurorisë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që të refuzohet kërkesa e përbashkët e ekipeve mbrojtëse që përfaqësojnë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin ndaj trupit gjykues për ruajtje të paanshmërisë.
Vendimi është marrë më 26 shkurt 2025 nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtari Charles Smith III.
Më 13 nëntor, mbrojtja e katër të akuzuarve kishte kërkuar që Paneli t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar paanshmërinë e tyre në proces dhe për të kufizuar paragjykimin ndaj mbrojtjes gjatë pyetjeve gjyqësore.
Pra, mbrojtjet e katër të akuzuarve kishin kërkuar që paneli të veprojë me paanshmëri gjatë pyetjeve por edhe të bëjë pyetje që testojnë çështjen e ZPS-së.
Gjithashtu, ata kishin kërkuar që trupi gjykues të kufizohet në përdorimin e pyetjeve sugjestive ndaj dëshmitarëve dhe të shmangin përdorimin e pyetjeve si mjet gjyqësor për të nxjerrë prova kundër të pandehurve që kalojnë hetimet e drejtpërdrejta të Prokurorisë , raporton Betimi për Drejtësi.
Mbrojtjet kanë argumentuar se mënyra e cila paneli i ka bërë pyetjet gjyqësore gjatë gjithë gjykimit kanë krijuar pikëpamje të paragjykimit dhe janë shkelur të drejtat për një gjykim të drejtë, të pavarur dhe të paanshëm ndaj të pandehurve.
ZPS-ja kishte parashtruar se kjo kërkesë e mbrojtjeve duhet të refuzohet duke shtuar se ajo synon të pengojë punën e trupit gjykues për gjetjen e së vërtetës dhe të kufizojë në mënyrë të papranueshme të drejtën e gjyqtareve për të marrë në pyetje dëshmitarë.
ZPS-ja ka shtuar se akuzat e mbrojtjes lidhur me dëmtimin e të pandehurve dhe paragjykimet janë proceduralisht të pabazuara dhe të pasakta.
Ndërsa, mbrojtjet serish ishin kundërpërgjigjur duke thënë se kërkesa e tyre është e bazuar mirë duke insistuar se pyetjet e gjyqtareve kanë qenë të dëmshme për të drejtat e të pandehurve për një gjykim të drejtë.
Mbrojtjet pretendojnë se duket që ZPS-ja nuk kundërshton pyetjet e gjyqtareve deri më tani për shkak se ata nuk kanë testuar rastin e Prokurorisë por më tepër supozimin e pafajësisë së të pandehurve.
Madje në një rast mbrojtja e Veselit ka pretenduar se marrja e njoftimit vetëm pak para pyetjes gjyqësore që paneli ka ndërmend të përdorë një material nuk është njoftim i mjaftueshëm por është i padrejtë dhe i dëmshëm.
Duke u pajtuar me ato që ka parashtruar mbrojtja e Veselit, mbrojtja e Thaçit ka thënë se kjo praktikë është e padrejtë për mbrojtjet për shkak të mungesës së njoftimit të duhur. Po ashtu edhe mbrojtja e Selimit dhe Krasniqit iu ishin bashkuar këtyre argumenteve.
“ZPS iu përgjigj duke thënë se ka zbuluar menjëherë për Mbrojtjen e Thaçit dhe Mbrojtjen e Selimit artikujt që nuk ishin shpërndarë më parë. ZPS argumenton gjithashtu se (i) kërkesa e Mbrojtjes për të vonuar pyetjen gjyqësore lidhur me këtë material është e parakohshme dhe (ii) nëse është e nevojshme, Mbrojtja mund të kërkojë kohë shtesë pas pyetjes gjyqësore”, thuhet tutje në vendim.
Në anën tjetër, duke iu referuar nenit 21 të Ligjit për DhSK-në, kryegjyqtari Smith III ka pretenduar se paneli ka autoritetin dhe detyrën që të zhvillojnë pyetje që ndihmojnë testimin e rastit të ZPS-së përveç në raste kur ato janë të pa sakta ose të padrejta.
Veç kësaj, mbrojtja ka argumentuar se koha që është duke përdorur trupi gjykues për pyetjet e tyre është e madhe dhe po ndikon në zhvillimin e procedurave. Ata kanë thënë se çdo boshllëk në provat e paraqitura duhet të adresohet nga palët përmes ripyetjeve ndërsa pyetjet gjyqësore duhet të përdoren zakonisht për ë sqaruar aspekte të provave dhe nuk duhet të zgjasin më shumë se pyetjet e palëve.
Mbrojtja ka potencua se ka dallim të madh në kohën e kërkuar nga ZPS-ja dhe ekipet e mbrojtjeve për pyetje shtesë pas pyetjeve gjyqësore. Ata pretendojnë se pyetjet e gjyqtarëve ZPS-ja nuk i percepton si sfidë për rastin e saj ndërsa mbrojtja i sheh si dëm për parimin e pafajësisë së të akuzuarit. Si rrjedhojë, ata pretendojnë se edhe një vëzhgues i arsyeshëm nuk mund t’i perceptoj pyetjet gjyqësore si të paanshme.
“Mbrojtja argumenton se kjo është në kundërshtim me: (i) të drejtën e të Akuzuarit për një gjykim të pavarur dhe të paanshëm; dhe (ii) detyrën etike të Panelit për të mos qenë vetëm subjektivisht të paanshëm, por edhe për të krijuar një dukje të paanshmërisë kur bën pyetje”, thuhet tutje.
Në këtë pjesë, ZPS-ja ishte përgjigjur se interpretimi i mbrojtjes për kohën e përdorur nga gjyqtarët për pyetje është mashtrues, pa kuptim dhe i pamjaftueshëm për të ngritur pretendim për paragjykim gjyqësor pa i marrë parasysh rrethanat specifike të çdo dëshmitari dhe pyetjet e bëra nga Paneli.
ZPS-ja gjithashtu ka parashtruar se mbrojtja nuk e ka pranuar se disa nga pyetjet e tyre shtesë kanë qenë të përsëritura dhe jashtë kufijve të pyetjeve gjyqësore për çka edhe paneli ka marrë masa korrigjuese.
Ndërsa, mbrojtja u përgjigj serish duke thënë se Apeli e ka bërë të qartë se pyetjet gjyqësore nuk duhet të qojnë në shqetësime për paragjykim, dëm apo ndërhyrje në të drejtat e të akuzuarve. Mbrojtja argumenton se Paneli e ka shkelur këtë gjë. Ndërsa, ata kanë refuzuar argumentin e ZPS-së së mbrojta po përpiqet të pengojë detyrën e gjyqtarëve për ta zbuluar të vërtetën.
Mbrojtja ka kundërshtuar ZPS-në e cila tha se dallimi mes kohës së kërkuar nga palët për pyetje shtesë është si rezultat i pyetjeve të përsëritura dhe atyre jashtë kufijve.
“Përfundimisht, Mbrojtja pohon se pyetje udhëzuese janë bërë nga Paneli, megjithëse Paneli ka urdhëruar Mbrojtjen që të shmangë pyetje të tilla dhe ka theksuar se pyetjet udhëzuese janë shprehimisht të ndaluara”, thuhet në vendim.
Ndërsa Paneli i gjyqtarëve në këtë vendim kanë vë në dukje se rregullat nuk vendosin asnjë kufizim për kohën që ata mund të përdorin në pyetje duke shtuar se në shumë sisteme gjyqësore pjesa më e madhe e pyetjeve vijnë nga gjyqtarët.
Kufizimet e vetme që mund t’i zbatojnë gjyqtarët sipas vendimit vlejnë njëjtë edhe për palët dhe pjesëmarrësit janë: relevanca, shmangia e përsëritjeve dhe respektimi i së drejtës së të akuzuarit për një gjykim pa vonesa.
Në këtë vendim thuhet se koha e pyetjeve duhet të shihet në kontekstin e dëshmive të përgjithshme të dëshmitarëve ndërsa mbrojtja sipas Panelit, mbështetet vetëm në kohën totale të shfrytëzuar për pyetjet gjyqësore pa marrë parasysh substancën e pyetjeve ose dëshmitarët.
“Për shembull, Mbrojtja pohon se rreth nëntë dëshmitarë janë pyetur nga Paneli për më shumë se dy orë. Mbrojtja nuk ka identifikuar asnjë pyetje të bërë nga Paneli që nuk ishte e rëndësishme ose nuk ndihmonte në kërkimin e të vërtetës. Paneli vë në dukje gjithashtu se të gjithë këta dëshmitarë ishin dëshmitarë kompleksë me kohë të konsiderueshme për pyetje të drejtpërdrejta dhe/ose pyetje kundërshtuese, dhe shpesh, më shumë se një anëtar i Panelit kishte pyetje për dëshmitarin. Për rrjedhojë, koha e përgjithshme e pyetjeve gjyqësore ishte në përpjesëtim me rëndësinë dhe relevancën e këtyre dëshmitarëve, si dhe me përgjegjësitë e Panelit për të kërkuar të vërtetën”, thuhet tutje në vendim.
Sa i përket dallimit të madh në kohën e shfrytëzuar nga ZPS-ja dhe mbrojtja në pyetjet shtesë pas atyre të gjyqtarëve, paneli ka thënë se është drejtë e palëve të vendosin se kur do t’i bëjnë pyetjet.
“Fakti që Mbrojtja kërkon ndonjëherë të bëjë pyetje të gjata pas pyetjeve gjyqësore është e drejtë e saj, ashtu si është e drejta e ZPS që të mos e bëjë këtë. Këto janë zgjedhje që bien plotësisht brenda diskrecionit të Avokatëve, të cilin Paneli e ka miratuar”, thuhet në vendim.
Ndërsa sa i përket pretendimeve të mbrojtjes së pyetjet gjyqësore s’e kanë testuar rastin e prokurorisë, Paneli iu ka referuar një vendimi të Apelit lidhur me rregullën 127 (3) e cila sipas tyre ofron bazë ligjore për fuqinë e gjyqtarëve për t’i pyetur dëshmitarët dhe që kjo rregull s’vendos asnjë kufizim.
“Paneli ka një fuqi diskrecionale të gjerë për t’iu drejtuar dëshmitarëve me çdo pyetje që e konsideron të nevojshme për sqarimin e dëshmisë së tyre ose për zbulimin e të vërtetës”, thuhet në vendim.
Për kërkesën e mbrojtjeve që trupi gjykues t’i shmangë pyetjet sugjestive apo udhëzuese, Paneli ka thënë se nuk ka rregullime për mënyrën e pyetjeve të gjyqtarëve dhe se fuqia për të bërë çfarëdo lloj pyetje të nevojshme sipas tyre mbështetet në rregullin 127 (3).
Veç kësaj, Paneli ka konstatuar se pyetjet e tyre nuk kanë shkelur të drejtat e të akuzuarit dhe nuk dërgojnë në paragjykime.
Sa i takon përdorimit të materialeve sipas rregullit 102 (3) dhe 103 gjatë pyetjeve gjyqësore, mbrojtja ka argumentuar se gjyqtaret janë mbështetur në materiale të cilat nuk janë përfshirë në rendin e paraqitjes nga asnjë palë dhe janë marrë me çështje që nuk janë ngritur nga asnjëra prej palëve. Vec kësaj, ata thonë se ka pasur raste kur janë trajtuar çështje jashtë aktakuzës dhe dokumenteve paraprake të ZPS-së për çka krijohet përshtypja se gjyqtarët po ndjekin një çështje të tyren.
Është ripërsëritur argumentimi i mbrojtjes se mungesa e njoftimit për artikujt që do të përdoren nga Paneli ose vonesa e tij është e dëmshme për mbrojtjen sa i takon procesit të përgatitjes së tyre.
Veç kësaj, mbrojtja shkon më tej duke thënë se demi për ata thellohet kur gjyqtarët mbështeten në dokumente të tilla që janë voluminoze e të cilat nuk janë shpërndarë për të gjitha ekipet e mbrojtjes.
Ndërsa, ZPS-ja është përgjigjur që mbrojtja e ka marrë njoftimin e duhur për procedurave që parasheh rregulla e lartpërmendur duke shtuar në raste kur ekipet mbrojtëse zgjedhin të mos kërkojnë artikuj të caktuar, atëherë normalisht që pësojnë pasojat.
Në këtë pikë, Paneli ka thënë se rregullat nuk kërkojnë që Paneli të jep njoftim për materialet që janë shpallur sipas rregullit 102 (3) dhe 103 që mund të jenë të rëndësishme për pyetjet gjyqësore.
“Ky lehtësim u dha dhe u vendos nga Paneli si rezultat i kërkesave të shprehura nga Mbrojtja për këtë qëllim dhe për të siguruar drejtësinë dhe mundësinë e Palëve për t’u përgatitur. Mbrojtja tani po sfidon ose pyet këtë lehtësim që u kërkua nga Mbrojtja dhe u dha për përfitimin e saj. Paneli gjithashtu vëren se urdhrat dhe vendimet e tij për të vendosur këtë rregullim nuk ishin objekt i ndonjë ankese (si një kërkesë për rishqyrtim) nga Mbrojtja pasi ato ishin vendosur. Paneli gjithashtu vëren se, ashtu si pala që kryen pyetjet e kundërshtimit ose ripyetjen, Paneli është vetëm në gjendje të japë njoftim për dokumentet që mund të përdoren në pyetje pasi të ketë dëgjuar pyetjet nga Palët (dhe pjesëmarrësit) dhe dëshminë e dëshmitarit”, thuhet në vendim.
Sipas panelit, Mbrojtja ka dështuar të shpjegojë se si mund të jepet njoftimi më herët për këto materiale. Veç kësaj, sipas tyre mbrojtja nuk ka kërkuar për asnjë prej dëshmitarëve më shumë kohë për t’u përgatitur në pyetjet shtesë pas atyre gjyqësore.
Trupi gjykues në vendim ka potencuar se shumica e artikujve për të cilët është dhënë njoftimi, i kanë pasur prej muajsh ose vitesh mbrojtja dhe se supozohet që ata i kanë ditur ato.
“Nëse Mbrojtja ka kërkuar shpalljen e materialeve të Rregullit 102(3) për të cilat ka pasur njoftim dhe/ose ka rishikuar materialet e Rregullit 102(3) që iu janë shpallur, janë çështje që i përkasin ekskluzivisht Mbrojtjes. Paneli nuk mund të kritikojë vendimin e avokatëve për të mos e bërë këtë. Gjithashtu, Paneli vëren se ka vepruar gjithmonë në anën e kujdesit duke dhënë njoftim për të gjitha dokumentet relevante për pyetje gjyqësore, edhe nëse mundësia e përdorimit ishte e kufizuar, për t’u siguruar që Mbrojtja të jetë në gjendje të përgatitet në mënyrë efektive për pyetjet e Panelit dhe, siç mund të jetë rasti, për të bërë pyetje të mëtejshme për ato që janë bërë nga Gjyqtarët”, thuhet në vendim.
Lidhur me pretendimin e mbrojtjes për materialet voluminoze sipas këtyre rregullave që nuk janë shpërndarë disa nga ekipet e mbrojtjeve, Paneli ka theksuar se vetëm dy dokumente të tilla janë përdorur me dëshmitarin W03873.
Sipas tyre, njëri prej këtyre dokumenteve ishte bërë i ditur për mbrojtjen me 30 janar 2023 dhe tjetri me 31 gusht 2022. Trupi gjykues nënvizoi serish se është përgjegjësi e avokatëve që të përgatiten për gjykim.
“Paneli vëren gjithashtu se është përgjegjësi e avokatëve të Mbrojtjes të përgatiten për gjykim dhe, siç u tha më lart, vendimi për të kërkuar shpalljen (dhe shqyrtimin) e materialeve të Rregullit 102(3) për të cilat Mbrojtja ka marrë njoftim është zgjedhja dhe përgjegjësia ekskluzive e avokatëve të secilit të akuzuar”, thuhet në vendim.
Paneli ka thënë se në rast që vërehet që materialet e tilla janë të lidhura me pyetjet gjyqësore, ato shpërndahen në listën e materialeve sipas rregullit të lartpërmendur që mund të përdoren në pyetjet gjyqësore. Ndërsa, ata shtuan se e urdhërojnë ZPS-në që të mundësojë njoftimin e të gjitha ekipeve mbrojtëse për materialin përkatës.
Serish u theksua se nëse avokatet zgjedhin t’i shqyrtojnë këto materiale ose jo është zgjedhja dhe përgjegjësia e tyre.
Veç kësaj Paneli potencoi se në asnjë moment gjatë pyetjeve gjyqësore mbrojtja s’ka kërkuar më shumë kohë për të rishikuar dokumente për të cilat Paneli ka njoftuar se do të bëjnë pyetje dhe s’i rrjedhojë ata konsideruan përmes vendimit që mbrojtjes nuk iu është shkaktuar dëm.
Vendimi theksoi se Trupi gjykues nuk ka dhe nuk është duke ndjekur ndonjë çështje të tij të veçantë ashtu siç ka pretenduar mbrojtja në parashtrimet e tyre.
Aty thyhet se përgjegjësia e Trupit gjykues është të vlerësoje dhe nëse është e nevojshme të nxjerrë prova me qëllim që të arrijë tek e vërteta në lidhje me provat e paraqitura nga të dyja palët.
Sipas vendimit, Trupi gjykues ka thënë se provat për veprimet e pa përfshira në aktakuzë mund të jenë të papranueshme për përcaktimin e përgjegjësisë për krimet e pretenduara, por mund të jenë të pranueshme për qëllime të tjera të ligjshme.
Vendimi specifikon se trupi gjykues përbehet nga gjyqtarë profesionist dhe të kualifikuar për të vlerësuar besueshmërinë e dëshmitarëve dhe dëshmive të tyre dhe se kufizimi i pyetjeve të gjyqtarëve do të ishte ndërhyrje në rolin e tyre të pavarur dhe neutral.
Si rrjedhojë, Paneli i gjyqtarëve i kryesuar nga gjyqtari Charles Smith III ka refuzuar kërkesën e katër ekipeve të mbrojtjes.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi