Dodik dënohet me 1 vit burgim, i ndalohet edhe veprimtaria politike

Presidenti nacionalist i Republikës Srpska (RS) – entiteti serb në Bosnje Hercegovinë – Milorad Dodik të mërkurën e 26 shkurtit është dënuar me 1 vit burgim dhe gjashtë vjet për ndalim të veprimtarisë politike.
Dodik u dënua për kryerjen e veprës penale të moszbatimit të vendimeve të Përfaqësuesit së Lartë. Dodik nuk mori pjesë në shpalljen e aktgjykimit.
Ky është një vendim i shkallës së parë që mund të apelohet.
Dodik akuzohej për nënshkrimin e dekreteve presidenciale, me të cilat shpalli të vlefshëm dy ligje jokushtetuese të Republikës Srpska, që më parë ishin anuluar nga përfaqësuesi i Lartë.
Prokuroria e Bosnjë dhe Hercegovinës, në seancën përfundimtare më 19 shkurt, kërkoi nga Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës që t’i shqiptojë një dënim me pesë vjet burgim Dodik-ut, dhe t’ia ndalojë atij veprimtarinë politike për 10 vjet.
Në deklaratat e tij përfundimtare, Dodik, tha se “ne duhet të luftojmë së bashku në mënyrë që Bosnje e Hercegovina të mos jetë më protektorat, por të rifitojë sovranitetin e saj”.
Ai vazhdimisht përsëriti se Schmidt është zgjedhur në mënyrë të paligjshme dhe se nuk ka asnjë vendim të ndonjë institucioni që thotë se ai është përfaqësues i Lartë, prandaj, Dodik argumentoi se Schmidt nuk ka legjitimitet që të ndryshojë ligje.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, u deklaruan kundër dënimit të Dodik-ut.
Më 17 shkurt Vuçiç tha se shpreson që “në Bosnje e Hercegovinë të mos merren vendime gjyqësore që mund të rrezikojnë stabilitetin”.
Orban, në anën tjetër, bëri thirrje për “ndalimin e ndëshkimit të Dodikut”.