Çerkini: Specialja ka bërë shkelje humanitare ndaj Thaçit me refuzimin e kërkesës për vizitë tek babai

Avokati Artan Çerkini, ka folur mbi refuzimin që Gjykata Speciale ia ka bërë kërkesës së ish-presidentit Hashim Thaçi që ta vizitojë babanë e tij të sëmurë.
Çerkini tha se nuk ka pasur arsye që Thaçit t’i refuzohet kërkesa për vizitë, pasi sipas tij, në dy herë që i është aprovuar kërkesa për vizitë humanitare, Thaçi i ka respektuar të gjitha kufizimet e gjykatës.
“Thaçi i ka respektuar me përpikmëri të gjitha ato kufizime të imponuara me vendim të gjykatës, gjatë vizitave humanitare në Kosovë dhe për mendimin tim është totalisht e papranueshme që t’i mohohet leja për ta vizituar babanë e sëmurë, marrë parasysh gjendjen shëndetësore dhe moshën e babait të Thaçit”.
“Prandaj nuk ka pasur arsye që t’i refuzohet Thaçit kërkesa për vizitë. Besoj që mbrojtja e Thaçit i ka përdorur mjetet juridike në kuadër të kornizës ligjore aktuale të Dhomave të Specializuara. Mos të harrojmë se aty ekziston edhe një Avokat i Popullit, të cilit mund t’i adresohen të gjitha pretendimet për shkelje të të drejtave të njeriut”, tha Çerkini në Klan Kosova.
Më tej, Çerkini tha se mendon që me refuzimin e kërkesës për vizitë te babait të tij të sëmurë, Specialja ka bërë shkelje të të drejtave humanitare ndaj Thaçit.
“Besoj se Thaçi, përmes mbrojtjes së tij e ka ngritur këtë çështje në zyrën e Avokatit të Popullit, pasi shkelja ka të bëjë me shkelje e një të drejte humanitare dhe të presim reagimin e atij mekanizmi”.
“Mendoj se është shkelur e drejta humanitare ndaj Thaçit, pasi në dy vizitat e lejuara që Thaçi i ka lejuar si vizita humanitare, ai nuk e ka shkelur asnjë pikë të kufizimit”, tha ai.