Ferizaj: Kërkohet paraburgim ndaj një personi për shpërndarje e shitblerje të narkotikëve

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore e këtij qyteti, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit A.U., për shkak të dyshimit të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Në komunikatën për media bëhet e ditur se sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më datë 24.02.2025, në Ferizaj, konkretisht në banesën ku jeton, i pandehuri, pa autorizim ka poseduar me qëllim të shitjes substancë narkotike të llojit marihuanë, në atë mënyrë që pas kontrollit nga ana e Njësitit Anti-drogë në dhomën e tij janë gjetur 42 qese najloni me substancë narkotike të llojit marihuanë dhe një kavanoz qelqi e cila ishte e mbushur me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 95.86 gram.
Po ashtu, të njëjtit i është gjetur një peshore digjitale dhe të holla në vlerë totale 111 euro, të cilat janë sekuestruar nga policia, me çka do të kryente veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
I pandehuri A.U., që nga data 24 shkurt i këtij viti me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur.