Muharremi: Kërkesat për rritje të faturave të rrymës janë të frikshme, s’besoj që kalon pa protesta

Analisti Shenoll Muharremi ka thënë se paralajmërimet për rritje të çmimit të energjisë elektrike janë të frikshme.
Ai në Facebook ka thënë se nëse një gjë e tillë ndodh atëherë për familjet kosovare është e papërballueshme.
Postimi i plotë:
Këto kërkesat që po i shohim për rritje të mëtutjeshme të faturave të rrymës janë të frikshme. Thuhet që në Kosovë “rryma është më e lira në rajon”, por nuk është e vërtetë nëse krahasohet me fuqinë blerëse dhe të ardhurat.
Kam shikuar çka do të thotë nëse rritet ende çmimi i rrymës, dhe ajo çka shoh është e papërballueshme për familjet kosovare. Nëse aplikohet rritje 35% nga tarifat aktuale, atëherë rritja prej vitit 2021 e çmimit të rrymës do të rritet në 183% për njërën tarifë A1B1, ndërsa 166% për tarifën tjetër A1B2.
Nuk besoj që kalon pa pakënaqësi dhe protesta sociale. Jo që besoj në kapacitetet ‘protestuese’ të shoqërisë sonë, por literalisht nuk munden me i përballu më koston e jetës edhe ashtu shumë të rënduar dhe do të detyrohen të protestojnë goxha ashpër dhe të luftojnë për mirëqenien e tyre, e cila po rrënohet vitet e fundit.