Vdes Enver Duriqi, të cilit iu vranë katër fëmijë në masakrën në Podujevë

Vdes Enver Duriqi, të cilit iu vranë katër fëmijë në masakrën në Podujevë

Ka vdekur Enver Duriqi, të cilit më 28 mars 1999 i ishin vrarë katër fëmijët, gruan dhe prindërit, në masakrën ndaj familjeve Duriqi, Bogujevci dhe Llugaliu në Podujevë.

Lajmi për vdekjen e Duriqit u dha nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që Duriqin e quajti zë të së vërtetës dhe drejtësisë.

Duriqit më 28 mars në këtë masakër i ishin vrarë fëmijët e moshave 3, 5, 8 dhe 10-vjeç. Pas luftës kishte filluar jetën e re dhe kishte sërish katër fëmijë, e të cilëve ua kishte lënë emrat e njëjtë sikur të të vrarëve.

“Me dhimbje dhe respekt të thellë ndahemi nga Enver Duriqi, një njeri i cili, përkundër tragjedisë së pamasë që përjetoi, nuk reshti së luftuari për drejtësi dhe të vërtetën. Gjatë luftës, ai humbi gjithçka – katër fëmijët, bashkëshorten dhe të dy prindërit, të vrarë mizorisht. Megjithatë, kjo humbje nuk e theu shpirtin e tij, por përkundrazi, e bëri edhe më të vendosur që të kërkonte drejtësi për viktimat dhe të ndihmonte që zëri i tyre të mos shuhej kurrë”, thuhet në njoftimin e FDH-së.

Nga FDH-ja Duriqi është cilësuar jo vetëm si dëshmitar i së kaluarës së dhimbshme, por edhe si simbol i palëkundur i qëndresës dhe drejtësisë.

Në masakrën ndaj tri familjeve në Podujevë ishin vrarë 16 persona.

Shpërndaje në: