“Të mos bëjmë sikur s’ka ndodhur asgjë”, Rama me videodeklaratë në Samitin e Kievit: Realiteti politik dhe diplomatik në Ukrainë ka ndryshuar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është drejtuar me një video përshëndetëse Samitit në Kiev, ku liderët e BE u mblodhën për të përkujtuar 3-vjetorin e nisjes së agresionit rus ndaj Ukrainës.
Siç raportojnë mediat e huaja, Rama është shprehur se peizazhi diplomatik për Ukrainën ka ndryshuar rrënjësisht, duke pasur parasysh dialogun e Donald Trump me Rusinë dhe u kërkoi liderëve perëndimorë të mos e injoronin këtë fakt.
Kryeministri Rama tha se udhëheqësit dukej se po vazhdonin sikur asgjë të mos kishte ndodhur, kur në fakt, me Shtëpinë e Bardhë të re, gjithçka ishte ndryshe.
“Unë mendoj se diçka e rëndësishme ka ndodhur, siç e dini të gjithë, dhe pyetja është se si do të mbështetet Ukraina në mënyrë efikase dhe si Evropa si kontinent, mund të jetë efikase në mbrojtjen e vetvetes dhe për të nxjerrë më të mirën nga diçka që po ndodh, një negociatë mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara”, tha Rama sipas Sky News.
“Unë nuk jam i sigurt që vetëm duke folur për rritjen e mbështetjes ushtarake dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake, ne e kuptojmë të gjithë çështjen. Ky është mendimi im modest. Ndoshta e kam gabim”, ka thënë ai.
Rama ka përmendur dhe faktin që Washingtoni dhe Moska kanë nisur bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje dhe potencialin që Ukraina të shkëputet nga bisedimet dhe t’i imponohet një rezultat i padrejtë.
“Ne kemi qenë prej kohësh në autopilotin amerikan. Tani autopiloti po duket i fikur. Askush nuk e di për sa kohë. Është koha për një reflektim më të thellë se çfarë do të bëjmë në lidhje me mbështetjen ushtarake apo shpenzimet ushtarake. Sigurisht që është shumë e nevojshme, por mund të mos jetë e mjaftueshme”, është shprehur Rama.
Ai përsëriti se Shqipëria qëndronte plotësisht krah Ukrainës dhe aleatëve të saj, ndërsa theksoi se kishte dyshime për faktin se samiti po trajtonte vetëm gjysmën e problemit, anën ushtarake, dhe jo realitetin e ri politik dhe diplomatik. /Panorama.al/