Mesut Ozil hyn në politikë, bëhet pjesë e partisë së Erdoganit

Ish-ylli i Real Madridit dhe Arsenalit, Mesut Ozil, i cili u pensionua nga futbolli në vitin 2023, ka filluar një fazë të re në jetën e tij. Ish-reprezentuesi gjerman ka vendosur të nisë një karrierë politike në Turqi.
Në vitin 2019, presidenti turk, Erdogan, ishte dëshmitar në dasmën e Ozilit, dhe futbollisti është kritikuar shpesh për lidhjet e tij të ngushta me liderin turk.
Erdogan, i cili është president që nga viti 2014, përfaqëson Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP). Ozil ka nisur rrugëtimin e tij politik me këtë parti.
Pas kongresit të fundit të AKP-së, u zgjodhën anëtarët e rinj të komitetit qendror dhe administratës vendimmarrëse të partisë, dhe në mesin e tyre ishte edhe Mesut Ozil.
Gjithashtu, në kongresin që u mbajt në Ankara, u konfirmua rizgjedhja e Erdogan në krye të partisë. AKP ka qenë në pushtet në Turqi që nga viti 2002.