Vuçiq s’e pranon në takim raportuesin e Parlamentit Evropian, Bërnabiq: Me qejf s’do doja ta takoja kurrë

Vuçiq s’e pranon në takim raportuesin e Parlamentit Evropian, Bërnabiq: Me qejf s’do doja ta takoja kurrë

Aleksandar Vuçiq kërkon që së pari Picula të kërkojë falje për atë që ka deklaruar, dhe pastaj ai do të jetë i gatshëm të takohet me të.

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, kroati Tonino Picula, ka nisur të hënën një vizitë në Beograd, ku gjatë dy ditëve në vijim do të zhvillojë bisedime me zyrtarë shtetërorë, përfaqësues të partive opozitare, komunitetin e biznesit, sektorin e OJQ-ve dhe mediat, por është e sigurt se nuk do të takohet me presidentin serb, raporton gazeta kroate “Jutarnji List”.

Picula vjen në Beograd për herë të parë që kur u emërua raportues i PE në tetorin e vitit të kaluar dhe pas prezantimit të projekt-raportit para eurodeputetëve në një takim të Komitetit të Punëve të Jashtme në 20 shkurt.

Dokumenti, ndër të tjera, dënon ashpër sulmet ndaj protestuesve paqësorë dhe pretendimet e pabaza të autoriteteve serbe se shtetet anëtare të BE-së janë përfshirë në organizimin e protestave studentore me qëllim të fillimit të një “revolucioni të ngjyrosur”.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë të premten, me rastin e vizitës së paralajmëruar, se “i uroi Picula-s një qëndrim të këndshëm dhe se ai mund të shkruajë çfarë të dojë”.

Në fund të tetorit të vitit të kaluar, pas emërimit të Tonino Picula-s si raportues i PE-së për Serbinë, presidenti serb ka thënë se ai mund të vjen në Serbi, por fillimisht duhet të kërkojë falje për atë që ka thënë për Serbinë dhe se për të duhet të flasë me shumë më shumë respekt.

Pas paraqitjes së draft-raportit për Serbinë të enjten, Picula ka paralajmëruar para gazetarëve se do të shkojë në Beograd dhe Novi Sad nga data 23 deri më 26 shkurt, duke thënë se do të bisedojë “nëse jo me të gjithë, atëherë me një pjesë të njerëzve” të cilët sigurisht kanë ndikim në formimin e politikave për temat për të cilat flitet në draft-raport.

Sipas informatave të agjencisë kroate të lajmeve, HINA, nuk ka konfirmim për takim me raportuesin e PE nga zyrat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, kryeministrit në largim Millosh Vuçeviq dhe ministrit të jashtëm Marko Gjuriq, përcjell Papaparaci.

Gjatë ditës, Picula do të takohet me kryetaren e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Elvira Kovaç, ministren e Integrimeve Evropiane, Tanja Mishçeviq dhe përfaqësues të mediave.

Në ditën e dytë të vizitës është planifikuar takim me përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe bisedime të veçanta me krerët e grupeve parlamentare të opozitës dhe koalicionit qeverisës në Kuvendin e Serbisë.

Të martën pasdite, Picula do të vizitojë Novi Sadin dhe do të nderojë viktimat e aksidentit në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku më 1 nëntor të vitit të kaluar, 15 persona, kryesisht të rinj, vdiqën nga shembja e strehës dhe dy të tjerë u plagosën me pasoja të përhershme.

Në mesin e atyre që do të takohen me Piculën është edhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq. Ish-kryeministrja serbe ka konfirmuar për Euronews Serbia se do të takohet me eurodeputetin kroat.

“A do të jetë gjëja më e bukur në jetën time? Jo. A do të doja të flisja me Tonino Picula-n si Ana Bërnabiq? Kurrë. Por si kryetare e Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë, më duhet të bisedoj me raportuesin e Parlamentit Evropian”, ka thënë Bërnabiq.

Ajo ka pretenduar se vlerësimi i Picula-s se Serbia ka arritur përparim të përgjithshëm të kufizuar ose aspak është “turp”.

“Turp i madh. Turp për të. Dhe ne do të shohim se si do të reagojë Parlamenti Evropian. Nëse miraton gjëra të tilla, gjërat faktikisht të pasakta që janë në atë rezolutë, atëherë kjo do të jetë turp edhe për Parlamentin Evropian”, ka përfunduar ajo.

Shpërndaje në: