“Më goditën për llogari të Saliut”, Veliaj: Më futën brenda por nuk ma mbyllin gojën

Kryebashkiaku Erion Veliaj reagoi sërish këtë të diel nga burgu i Durrësit, ku akuzoi prokurorin Ols Dado se veproi ndaj tij për llogari të Sali Berishës, ndërsa etiketon dhe gjyqtarin Bami se iu bind kësaj kërkese. Veliaj thotë se, megjithëse e arrestuan pa gjyq, sipas tij nuk do të arrijnë që t’i mbyllin gojën.
Veliaj i ngre disa pyetje prokurorit Dado:
Tani po i ngre edhe unë disa pyetje se u pa puna:
- Pse qenka habitur prokurori që unë kam deklaruar dietat si të ardhura, kur këtë e paska bërë edhe vetë?
- Në qoftë se në rastin tim, prokurorit i paska lindur pyetja: “kush ia ka mbuluar shpenzimet jashtë shtetit shtetasit Erion Veliaj përderisa ka kursyer dietat”, a nuk krijohet dyshimi i arsyeshëm se në rastin e shtetasit Ols Dado, mund të kemi të bëjmë me një individ që ka bërë pisllëqe me deklarimet e tij?
- Pse xhanëm në rastin e tij “dieta” na qenka e ardhur e deklarueshme, ndërsa në rastin tim një autogol i dënueshëm me burg, pa gjyq?
Më tej akoma:
- A ka udhëtuar shtetasi Ols Dado për shërbime brenda dhe jashtë shtetit këto vite?
- A ka marrë dieta për këto udhëtime?
- Apo nuk i ka marrë sepse s’ka pasur nevojë?
- Sepse në qoftë se i ka marrë dhe nuk i ka deklaruar, në rastin më të mirë, ka bërë deklarim të rremë, por në rastin më të keq, lind vetiu pyetja e tij për atë vetë: kush ia ka mbuluar shpenzimet prokurorit që s’paska pasur nevojë për të marrë dietat e shtetit që i takojnë me ligj?
- Po kur udhëton me kontakte të papërshtatshme dhe i kursen dietat, se t’i paguajnë të tjerët, a duhet të deklarohen ato?
“Të dashur miq, më lejoni ta vijoj çmontimin e dosjes farsë edhe këtë të dielë”, shkruan Veliaj më tej.
Sipas tij, veprimet e prokurorit Dado kundër tij dhe familjes së tij janë një “vrasje me pagesë” për llogari të Sali Berishës. Ai e quan procesin një “paçavure të thurrur me gabime trashanike dhe dashakeqësi”, ndërsa akuzon edhe një tjetër prokuror, të cilin e quan “kasapin Sali fundërrinist”, për rolin e tij në largimin e Veliajt nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës në mes të fushatës.
Veliaj thotë se ata që menduan se duke e futur në burg pa gjyq do ta heshtnin, kanë gabuar rëndë. Ai sulmon sërish Ols Dado, duke e quajtur një prokuror të paaftë që po përhap dosjen në media para se ai vetë të njihej me të.
Në një pjesë të mesazhit të tij, Veliaj përmend faqen 35, pika 19 të dosjes, ku citohet një pjesë e argumentit të prokurorit Dado:
“…Gjithashtu, janë deklaruar si të ardhura edhe dietat për t’u shpenzuar jashtë shtetit në takimet zyrtare, si dhe biletat e udhëtimit për jashtë shtetit, të cilat duhet të blihen nga Autoriteti Kontraktor, Bashkia Tiranë nëpërmjet procedurës së prokurimit publik. Ndodhur në këto kushte, lind pyetja kush ia ka mbuluar shpenzimet jashtë shtetit shtetasit Erion Veliaj përderisa ka kursyer dietat…”
Sipas Veliajt, ky është një argument absurd, duke e krahasuar këtë proces me mentalitetin e Sigurimit të Shtetit në vitin 1975. Ai thekson se vetë Ols Dado, në deklarimin e tij të pasurisë për vitin 2009, ka deklaruar “të ardhura të përfituara nga dietat” dhe madje shuma të transferuara nga Këshilli i Evropës për udhëtime.
“E keqja është kjo më pas, kur zëmarrësin dhe zëdhënësin e prokurores së përgjithshme në atë kohë, e kanë armatosur sot me shpatën e SPAK-ut për të prerë koka njerëzish të pafajshëm, me argumenta që vetëm një gjysmë idiot dhe gjysmë kriminel nuk ka turp t’i shkruajë,” shkruan Veliaj.
Ai shpjegon se legjislacioni për tatimin mbi të ardhurat e njeh dietën si shpenzim për ushqim dhe që jepet nga buxheti i shtetit, duke argumentuar se pretendimet e prokurorit janë të pabaza. Sipas tij, të deklarosh një shumë si të ardhur nuk do të thotë që ajo shumë është kursyer, aq më pak të ngrihen akuza mbi këtë bazë.
Në fund të reagimit të tij, Veliaj e përmbyll mesazhin me të njëjtin ton ironik ndaj prokurorit:
Hë-hë-hë Ols Violina…