Cilat janë procedurat përpara që të formohet Qeveria e re e Kosovës?

Cilat janë procedurat përpara që të formohet Qeveria e re e Kosovës?

Presidentja Vjosa Osmani duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila duhet të mbahet më së largu 30 ditë pas certifikimit të rezultatit zyrtar zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Kjo mbledhje konsiderohet e mbyllur vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Në bazë të rezultateve preliminare, kryetari i Kuvendit do t’i takojë Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e cila ka fituar më së shumti vota. Por, nëse kjo parti nuk e propozon dikë për kryetar, procesi do të ngrijë në vend, raporton Radio Evropa e Lirë.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës na rikujton që, nëse kjo ndodh, nuk do të ishte hera e parë:

“Bazuar në praktikën e vitit 2014, kur procedura e konstituimit të institucioneve kishte zgjatur gjashtë muaj – atëkohë Gjykata Kushtetuese nuk ka përcaktuar afat ligjor, as kushtetues, se brenda çfarë periudhe është i obliguar subjekti fitues i zgjedhjeve që të propozojë një kandidat për kryetar të Kuvendit”.

Sipas tij, nëse nuk do të ketë aktgjykim tjetër të Kushtetueses, procesi mund të zvarritet deri vitin e ardhshëm, kur të skadojë mandati i presidentes, dhe të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme.

Më 2014, procesi ishte zhbllokuar vetëm kur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kishte braktisur bllokun e atëhershëm opozitar, dhe i ishte bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në koalicion qeveritar.

 

Pse mund të krijojë bllokadë LVV-ja?

Partia e kryeministrit aktual, Albin Kurti, mund t’i zvarrisë proceset nëse nuk arrin të formojë koalicion të qëndrueshëm për të përmbyllur ciklin e formimit të institucioneve.

Por, nëse kryetari i Kuvendit zgjidhet, atëherë nisin tiktaket e orës për afatet tjera.

Presidentja e vendit obligohet që të nominojë partinë fituese të zgjedhjeve si mandatare për formimin e Qeverisë.

Ndonëse as këtu nuk ekziston një afat i saktë, vendimet në fuqi përcaktojnë që procesi duhet të zhvillohet “sa më parë që të jetë e mundur”.

“Unë pres që sapo presidentja të nominojë kandidatin që propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje, i njëjti do të jetë i obliguar që brenda një afati prej 15 ditësh ta propozojë para Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar”, ka sqaruar Cakolli.

Kabineti duhet t’i sigurojë votat e 61 deputetëve brenda këtij afati. Por, nëse kjo nuk ndodh, presidentja është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.

Edhe mandatarja e ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.

Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja duhet të shpallë dekretin për zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen dyzet ditë prej shpalljes së vendimit.

Shpërndaje në: