ShBA-ja po refuzon ta bashkësponsorojë një rezolutë të OKB-së për integritetin territorial të Ukrainës

ShBA-ja po refuzon ta bashkësponsorojë një rezolutë të OKB-së për integritetin territorial të Ukrainës

Shtetet e Bashkuara janë duke refuzuar që të bashkësponsorojnë një draft-rezolutë të Kombeve të Bashkuara me të cilën do të mbështetej integriteti territorial i Ukrainës dhe do të dënohej agresioni rus, i thanë agjencisë “Reuters” tri burime diplomatike.

Draft-rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që është parë nga agjencia “Reuters”, e dënon agresionin rus dhe e riafirmon zotimin ndaj “sovranitetit, pavarësisë, unitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht”, transmeton nacionale.

“Në vitet e kaluara, Shtetet e Bashkuara në mënyrë të vazhdueshme kanë bashkësponsoruar rezoluta të tilla në përkrahje të një paqe të drejtë në Ukrainë” – tha njëri nga burimet, i cili kërkoi anonimitet për të diskutuar rreth çështjeve të ndjeshme.

Burimi i parë diplomatik i tha agjencisë “Reuters” se rezoluta ishte duke u sponsoruar nga më shumë se 50 shtete, duke refuzuar që t’i identifikonte ato.

Një zëdhënës i misionit diplomatik të ShBA-së në Kombet e Bashkuara në Gjenevë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë bashkësponsoruese të pothuajse të gjitha rezolutave të OKB-së në mbështetje të Ukrainës kundër Rusisë gjatë konfliktit më të madh në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore.

Nuk ishte menjëherë e qartë se kur skadon afati për mbështetjen e draft-rezolutës dhe Uashingtoni prapë mund ta ndryshojë mendjen.

Votimi në OKB, që shihet si shenjë e rëndësishme e përkrahjes globale për Ukrainën përballë ndryshimit në dukje të administratës së Trumpit më afër pozicionit të Rusisë në luftë, prapë mund të vazhdojë pa përkrahjen e ShBA-së, por mund të ketë më pak gjasa për mbështetje në Asamblenë e Përgjithshme.

Shpërndaje në: