Kajtazi: Përgjuesi është vendosur me nënshkrim të zëvendësshefit të AKI-së

Kajtazi: Përgjuesi është vendosur me nënshkrim të zëvendësshefit të AKI-së

Gazetari Vehbi Kajtazi ka zbuluar detaje të reja në emisionin “Rubikon” rreth pajisjes përgjuese që i ishte vendosur në automjetin e tij në tetor të vitit 2024.

Sipas tij, ky akt është kryer në mënyrë të kundërligjshme nga zëvendësshefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), pa vendim gjykate dhe me qëllim frikësimi dhe ndikimi në punën e tij si gazetar investigativ.

Kajtazi theksoi se pajisja është vendosur me një urdhëresë të paligjshme të nënshkruar.

“Mund t’ju konfirmoj këtu, publikisht, që pajisja është vendosur në mënyrë të kundërligjshme. Është vendosur me nënshkrim të zëvendësshefit të AKI-së. Ekziston një urdhëresë e paligjshme e zotit. Jo e shefit të AKI-së, sepse shefi i AKI-së nuk ka qenë në atë kohë kur është nënshkruar kjo.” – tha Kajtazi.

Ai dha detaje të reja dhe përmendi emra konkretë të cilët, sipas tij, kanë qenë të përfshirë: “Për këtë i përfshirë është edhe K.Sh, kryeinspektor, që do të duhej të merrte masa. Iniciativën për këtë e ka ndërmarrë personi të cilin unë e kam përmendur me emër më herët, i cili e ka udhëhequr një zyrë kundër luftës hibride, i cili është autor i shkrimeve të rreme kundër gazetarëve. Pra, ai e ka ndërmarrë krejt këtë iniciativë. A.B është vëllai i një ish-kandidatje të Listës Guxo për deputete. Është vëllai i G.B, anëtare e Listës Guxo. Ka qenë në partinë e Vjosa Osmanit dhe në atë kohë është emëruar nga Vjosa Osmani zëvendësshef i AKI-së.

Kajtazi i quajti veprimet “të kundërligjshme”në mungesë të një vendimi të Gjykatës.

Sipas tij, këto veprime kanë pasur për qëllim ndjekjen dhe përgjimin e tij, duke synuar zbulimin e burimeve të informacionit dhe ushtrimin e presionit mbi gazetarinë e lirë.

“Të gjitha këto veprime janë ndërmarrë në mënyrë të kundërligjshme sepse nuk ka vendim të gjykatës. Kjo është një ndërmarrje që ka pasur qëllim të më përcjellë, të më përgjojë, me qëllim të zbulimit të burimeve, me qëllim po ashtu të frikësimit dhe të ndikimit në punën time.” – tha ai më tej.

Ai sfidoi publikisht këtë grup që ta nxjerrin vendimin e Gjykatës që urdhëron përgjimin e tij.

“Kjo sepse elemente brenda AKI-së janë kthyer në një grup kriminal që i shërbejnë regjimit të Albin Kurtit. Sot, unë i ftoj publikisht që ta nxjerrin vendimin e Gjykatës, që Gjykata ka urdhëruar përgjimin dhe vëzhgimin tim.”

Shpërndaje në: