Pas numërimit të rreth 75% të votave: Guxo prapë me pak deputetë në Kuvend

Pas numërimit të rreth 75% të votave: Guxo prapë me pak deputetë në Kuvend

Gjashtë nga 47 ulëset e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës do të jenë të zëna nga deputetë të Listës Guxo.

Pas numërimit të rreth 75 për qind të votave, gjashtë kandidatë të Listës Guxo nga 15 sa ishin gjithsej, kanë arritur të sigurojnë nga një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Të prirur në listë nga Donika Gërvalla-Schwarz, Faton Peci, Jeta Statovci, Albena Reshitaj, Haxhi Avdyli e Nezir Kraki, kanë marrë votat e mjaftueshme për të përfaqësuar qytetarët në kuvendin e republikës.

Ministri Faton Peci ka lënë pas lideren e Guxo, duke u renditur i treti në listën e gjatë të Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Paparaci.

Peci ka arritur të marrë rreth 84 mijë vota, duke lënë pas vetës figura të rëndësishme të LVV-së siç janë: Hekuran Murati, Albulena Haxhiu e Xhelal Sveçla.

Në 10-shen e VV-së ndodhet edhe shefja e Guxo, Gërvalla-Schwarz.

Udhëheqësja e diplomacisë së Kosovës në zgjedhjet parlamentare ka siguruar rreth 68 mijë vota.

Përpos Pecit e Gërvallës, në zgjedhjet e 9 shkurtit nga Lista Guxo mirë kanë perfomuar edhe Jeta Statovci e Albena Reshitaj. Që të dyja kanë arritur të marrin nga 21 mijë vota.

Një mandat tjetër si deputet e ka siguruar edhe Haxhi Avdyli. Ai ka arritur të marrë më shumë se 18 mijë vota.

Ndërkaq, për herë të parë mandatin e deputetit do ta kenë Nezir Kraki e Burim Demiri.

Profesori nga Parisi, Nezir Kraki numëron 17 mijë vota. Kurse, Demiri ka pak më shumë se 11 mijë vota duke u renditur i 46-ti në listën të cilën e ka siguruar Paparaci.

Lëvizja Vetëvendosje pritet t’i sigurojë 47 mandate në legjislaturën e ardhshme, bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për subjektet politike.

Ndarja e ulëseve në kuvend, megjithatë mund të pësojë ndryshime pas numërimit të votave me kusht dhe votave nga diaspora, të cilat pritet të numërohen pas numërimit të plotë të votave në vendovotime.

Shpërndaje në: