Tërheqja e mundshme e trupave amerikane nga Kosova, ish inspektori i AKI-së: Do të cenonte interesat e SHBA-së

Gazeta e njohur gjermane, “Bild”, raportoi se sipas informatave të saj, Italia është duke u përgatitur për tërheqjen e mundshme të trupave amerikane nga Kosova.
“Sipas të dhënave të Bild-it, Italia është duke u përgatitur për tërheqje të mundshme të trupave të ShBA-së nga Kosova. Aleatët evropianë atëherë do të ishin të vetëm në Ballkan kundër mikut të Putinit, Aleksandar Vuçiq, dhe ushtrisë së tij të fuqishme serbe”, thuhet në artikullin e gazetës gjermane.
E gjasat që të ndodh një gjë e tillë janë shumë të vogla, thotë ish-inspektori i Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.
Kjo, sipas Shkelzen Sopajt do të rrezikonte situatën në rajon e Evropë.
Madje ai thotë se do të centonte edhe interesat e SHBA-së.
“Sa i përket paralajmërimeve se trupat amerikanë mund të tërhiqen nga Kosova, unë besoj se gjasat për të ndodhur dicka e tillë janë shumë të vogla, marrë parasysh edhe faktin se kjo do të përkeqësonte situatën e sigurisë në rajon dhe do kishte edhe pasoja në sigurinë e përgjithshme në Evropë. Po ashtu, SHBA-të janë të vetëdijshme se një tërheqje e mundshme do të krijonte boshllëk dhe rrjedhimisht edhe hapësirë dhe terren më të përshtatshëm për akterët tjerë, respektivisht kundërshtarët e SHBA-ve dhe kjo do të cenonte edhe interesat e vetë SHBA-ve”, u shpreh ai për Periskopin.
Ish inspektori i AKI-së, për Periskopin tha se rreth 65 mijë trupa amerikanë do të jenë prezentë në Evropë.
“Andaj, kur kësaj ja shtojmë edhe deklarimet e fundit të disa akterëve të rëndësishëm në vetë SHBA, nuk besoj se do të kemi tërheqje të trupave nga Kosova por as edhe nga Evropa, dhe besoj që do ketë numri prej së paku rreth 65,000 trupave amerikanë me prezencë të përhershme në Evropë!”, deklaroi Sopaj.
Megjithatë nëse do të ndodhte një gjë e tillë, Sopaj thotë se kjo do të ndikonte edhe në rikthimin e akterëve ekstremiste fetare në skenë.
“Nëse kjo do të ndodhte sigurisht se do të kishte pasoja të drejtëpërdrejta edhe në situatën e përgjithshme të sigurisë jo vetëm në Kosovë por në tërë rajonin dhe se pasojat e para dhe me të drejtëpërdrejta do të shiheshin në veriun e Kosovës. Pra, një gjë e tillë do të ndikonte seriozisht në përkeqësimin e situatës së sigurisë, pasi që kjo do interpretohej si ftesë për akterët jomiqësor ndaj Kosovës, për të ndërrmarrë veprime me qëllim të realizimit të apetiteve të tyre, nisur nga vetë Serbia, pastaj Rusia dhe Kina! Kjo do të ndikonte edhe në rikthimin e akterëve ekstremistë fetar në skenë!”, theksoi ish inspektori i AKI-së.
Edhe analisti kosovar, Agon Maliqi para disa dite ka ngritur alarmin për një tërheqje të mundshme të trupave amerikan nga Kosova.
“Ky deklarim publik është zyrtarizim i ndryshimit të kursit nga administrata e re amerikane në politikën ndaj Ukrainës dhe është në përputhje me frymën e tërheqjes së SHBA si “subvencionuese” e sigurisë evropiane dhe zotimit të saj për mbrojtjen e kufijve sipas rendit ndërkombëtar. Kjo frymë realiste shumë shpejt do të reflektohet edhe në politikën e SHBA në Ballkan ku – po e përsëris – është në rrezik serioz prezenca e KFOR-it amerikan”, ka thënë Maliqi./Periskopi
BILD: Italia po përgatitet për tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Kosova
Ramadani pas raportimit të BILD për trupat amerikanë: Thellimi i raporteve është i domosdoshëm