10 ditë pas zgjedhjeve, nuk dihet kur numërohen votat e diasporës

KQZ-ja nuk ka dhënë një datë se kur do të fillojë numërimi i votave të diasporës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, dje tha se ka edhe dis aprocedura.
“Numërimi i votave nga jashtë Kosovës, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta do të fillojë pas përfundimit të numërimit në qendrat komunale të numërimit dhe pasi të bëhet procesi i vlerësimit të tyre nga ana e shërbimit votues të KQZ-së. Unë nuk do të përmend një datë, por në momentin kur të jetë gjithçka gati sigurisht se do t’ju njoftojmë”, tha ai në një konferencë për media.
Ai ka thënë se po bëjnë përpjekje maksimale që sa më shpejt që është e mundur t’i përfundojë i gjithë procesi në mënyrë që të arrihet deri tek shpallja e rezultatit përfundimtar.
“Ne po bëjmë përpjekje maksimale që sa më shpejt që është e mundur t’i përfundojmë të gjitha punët që kanë mbetur në mënyrë që të arrijmë deri tek shpallja e rezultatit përfundimit. Por, e rëndësishme është që përveç faktit që të kemi sa më shpejt një rezultat përfundimtar, që vullneti I qytetarëve të numërohet me saktësi”, theksoi Elezi.