Osmani ndan urdhrin ‘‘Hero i Kosovës’’ për Shaban Jasharin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në nder të 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka ndarë urdhrin post mortem ‘‘Hero i Kosovës’’, Shaban Jasharit, kryefamiljarit të familjes Jashari.
Dekoratën nga Osmani e ka pranuar Bekim Jashari.
Osmani gjatë fjalimit të saj ka thënë se se familja Jashari është themeli mbi të cilën u ngrit liria e Kosovës.
“Një moment i gjallë i sakrificës dhe heroizmit të pashoq. Në historinë e njerëzimit rrallë herë ka ndodhur që një familje e tërë të flijohet për idealin e shenjtë të lirisë, duke u bërë simbol i qëndresës dhe i dinjitetit kombëtar, dhe motiv për mijëra ushtarë të UÇK-së. Nga plumbi i parë e deri tek qëndresa heroike e marsit 1998, Jasharët nuk u thyen asnjëherë, nuk u zmbrapsën asnjëherë, ata në fakt përqafuan pavdekësinë”, tha Osmani. /Express