Abdixhiku takon ambasadorin e BE’së në Kosovë: KQZ të mbyllë sa më shpejt procesin e certifikimit, të shmangen vonesat tjera

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se gjatë takimit me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, kanë diskutuar për gjendjen aktuale politike me theks të veçantë lidhur me procesin zgjedhor, si dhe qëndrimet e LDK-së karshi kësaj situate.
Në njoftim thuhet se Abdixhiku respekton vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit, kur LDK u rendit e treta, pas VV-së dhe PDK-së.
Postimi i plotë:
Kryetari Abdixhiku mirëpret ambasadorin e BE-së në Kosovë, Aivo Orav
Sot, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në Selinë Qendrore ka pritur në takim ambasadorin e BE-së në Kosovë, Aivo Orav.
Gjatë takimit kryetari Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Orav për gjendjen aktuale politike me theks të veçantë lidhur me procesin zgjedhor, si dhe qëndrimet e LDK-së karshi kësaj situate.
Kryetari Abdixhiku theksoi se LDK e respekton në plotni vullnetin qytetar të shprehur gjatë këtij procesi zgjedhor dhe po ashtu pret që Komisioni Qendror Zgjedhor të mbyllë sa më shpejt procesin e numërimit dhe certifikimit të rezultateve, duke theksuar se është shumë e rendësishme që ky proces të përfundojë në mënyrë demokratike dhe duke shmangur çdo vonesë tjetër.
Në fund kryetari Abdixhiku tha se LDK do të angazhohet për zhvillimin e mëtejshëm të Kosovë me theks të veçantë në përmbylljen e proceseve të integrimit evropain.