Rusia ia njeh Ukrainës “të drejtën sovrane” për t’u anëtarësuar në BE

Rusia ia njeh Ukrainës “të drejtën sovrane” për t’u anëtarësuar në BE

Kremlini tha të martën se është e drejtë sovrane e Ukrainës për të vendosur nëse dëshiron që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe se Moska nuk synon që t’ia diktojë Kievit qasjen ndaj kësaj çështjeje.

Kur u pyet nëse Ukraina mund të bëhet një ditë pjesë e Bashkimit Evropian, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha: “Kjo është e drejta sovrane e cilitdo shtet”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ne po flasim për integrim dhe procese të integrimit ekonomik dhe këtu, natyrisht, askush nuk mund t’i diktojë asgjë asnjë shteti dhe ne nuk do ta bëjmë atë”– shtoi Peskovi.

Sidoqoftë, ai tha se pozicioni i Rusisë është tjetër, kur bëhet fjalë për anëtarësimin e Ukrainës në aleanca ushtarake.

“Është një pozicion tërësisht tjetër, natyrisht, për çështje të lidhura me sigurinë që ndërlidhen me mbrojtjen ose aleancat ushtarake” – tha zëdhënësi i Kremlinit.

Rusia vazhdimisht ka kërkuar që Ukraina të heqë dorë nga ambicia për anëtarësim në NATO, duke e cilësuar këtë objektiv si rrezik ndaj sigurisë së saj.

Vendet e NATO-s nuk i kanë bërë ndonjë ftesë Ukrainës për anëtarësim e as nuk kanë përmendur afat kohor se kur mund të ndodhë anëtarësimi.

Shpërndaje në: