Shoqëria civile kërkon të monitoroj proceset e rekrutimit për kategoritë e larta, dorëzohet padi ndaj MFPT

Shoqëria civile kërkon të monitoroj proceset e rekrutimit për kategoritë e larta, dorëzohet padi ndaj MFPT

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka dorëzuar padi ndaj Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve lidhur me procedurat e ndjekura gjatë konkursit për Sekretar të Përgjithshëm, raporton EO.

Nga shoqëria civile kanë kërkuar nga Gjykata që t’i obligojnë institucionet që në procedura të rekrutimit për pozita të kategorisë së lartë drejtuese, të lejohen të marrin pjesë në cilësinë e vëzhguesve.

Laura Nushi nga Iniciativa CorrWatch tha se shqetësimi nga mbyllja dhe mungesa e transparencës së MFPT-së sa i përket zhvillimit të fazave të rekrutimit për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm ishte përcjellë edhe me reagim publik nga Iniciativa CorrWatch.

“Bazuar në dispozitat e Ligjit për Zyrtarët Publik që i japin të drejte shoqërisë civile që të monitoroj proceset rekrutuese të kësaj natyre, Iniciativa CorrWatch kishte parashtruar kërkesë për monitorim më 13 gusht e 9 shtator 2024. Këto kërkesa ishin injoruar nga Ministria e cila më 11 shtator 2024, kishte publikuar listën e kandidatëve që e kanë kaluar fazën e verifikimit paraprak. Pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e Iniciativës CorrWatch edhe më 13 shtator 2024, kishin dërguar kërkesë për qasje në dosjen e kandidatëve dhe për monitorimin e fazave të tjera, e cila kërkesë po ashtu nuk u mor parasysh asnjëherë. Shqetësimi nga mbyllja dhe mungesa e transparencës së MFPT-së sa i përket zhvillimit të fazave të rekrutimit për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm ishte përcjellë edhe me reagim publik nga Iniciativa CorrWatch si dhe me parashtrimin e ankesës në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës”, tha Nushi.

E Liridon Salihi nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike, tha se Këshilli ka ardhur në përfundim që nuk është kompetent për të vendosur për këtë ankesë, por i njëjti ka konfirmuar të drejtën e shoqërisë civile, për të monitoruar proceset e rekrutimit për kategoritë e larta drejtuese.

“Po, Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike pas analizimit në detaje të këtij rasti ka vlerësuar së shoqërisë civile ishte mohuar nga Ministria e Financave një e drejte e garantuar me Ligjin për Zyrtarët Publik. Këtë rast fillimisht e ka dërguar ne KPMSHCK më 18 tetor 2024. Me vendimin e datës 23 janar 2025, Këshilli ka ardhur në përfundim që nuk është kompetent për të vendosur për këtë ankesë, por i njëjti ka konfirmuar të drejtën e shoqërisë civile, për të monitoruar proceset e rekrutimit për kategoritë e larta drejtuese dhe obligimin e institucioneve publike që t’iu mundësojnë shoqërisë civile monitorimin e këtyre proceseve”, tha Salihi.

Shpërndaje në: