Latifi: Një BE që s’është në gjendje me mbyllë kontestin e Kosovës me Serbinë e meriton të injorohet në bisedimet për Ukrainën

SHBA dhe Rusia kanë filluar bisedimet për luftën në Ukrainë në Arabinë Saudite – diskutimet e para ballë për ballë midis dy vendeve që nga pushtimi në shkallë të plotë të Ukrainës nga Moska.
Në këtë tryezë bisedimi përveç Ukrainës, po mungon edhe Bashkimi Europian, si dhe Mbretëria e Bashkuar – të dyja mbështetëse të forta të Ukrainës që kur u pushtua nga Rusia
Lënien jashtë të Bashkimit Europian po e sheh si meritore analisti politik Blerim Latifi.
Ai thotë se derisa BE s’ka qenë në gjendje të mbyllë kontestin e Kosovës me Serbinë për 17 vjet dhe s’ka arritur t’i bindë pesë shtete të saj për njohjen e Kosovës e meriton të injorohet në diskutimet mbi Ukrainën.
“Thënë të drejtën disi po më pëlqen fakti se SHBA nuk e përfshiu BE-në në negociatat me Rusinë për Ukrainën. Kët’ ndjesi pëlqimi po ma prish veç anashkalimi i Britanisë së Madhe. Një BE që s’është në gjendje tash e 17 vjet me mbyllë kontestin e Kosovës me Serbinë, e meriton të injorohet. Një BE që nga një projekt bashkimi kombesh, është kthy në një mekanizëm bllokimi, të cilin anëtarët e saj e përdorin për interesat e tyre mesnike. Një BE që e do sigurinë gratis nga Amerika dhe njëkohësisht edhe tregtinë me rivalët e saj tregtarë, si Kina. Një BE që ledhaton nji cub ballkanik si Vuçiqi dhe s”është në gjendje t’i bindë pesë shtete të saj se Kosova nuk mund të kthehet më nën Serbinë. Etj, etj”, ka shkruar Latifi.
Në Riad, Sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio dhe ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov do të diskutojnë marrëdhëniet e tyre dypalëshe, potencialin për partneritete të ardhshme dhe çfarë synojnë të bëjnë për t’i dhënë fund agresionit të paligjshëm rus ndaj Ukrainës.