Kush janë figurat historike të PDK-së që po rrezikojnë të mos zgjedhen deputet?
![Kush janë figurat historike të PDK-së që po rrezikojnë të mos zgjedhen deputet?](https://www.periskopi.com/wp-content/uploads/2024/11/pdkk-500x300.jpg)
Partia Demokratike e Kosovës doli e dyta në zgjedhjet parlamentare të nëntë shkurtit, duke marrë mbi 180 mijë vota. Sipas rezultateve preliminare, pritet që ky subjekt politik t’i ketë 25 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, janë pesë figura historike që mund të mos jenë në këtë mes.
Nacionale ka mësuar se Xhavit Haliti, Nait Hasani, Hysen Berisha, Ardian Kastrati dhe Hajdar Beqa rrezikojnë të mos marrin numrat e nevojshëm për t’u bërë deputet.
Derisa një çështje e tillë nuk është definitive, kjo situatë duket të jetë të paktën nëpër qendrat ku deri më tani janë numëruar shumica e votave të kandidatëve për deputet.
Në top pesëshe nga votat e numëruara deri më tani, janë kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, dhe kandidatët për deputet, Memli Krasniqi, Uran Ismaili, Vlora Çitaku dhe Enver Hoxhaj.
Sipas këtyre burimeve, Përparim Gruda, Jakup Nura e Sala Jashari janë në mesin e kandidatëve që kanë marrë një numër të madh votash, kjo një befasi duke marrë parasysh se nuk kanë qenë pjesë e listës së kësaj partie më herët.
Sipas rezultateve preliminare, tashmë dihet se Partia Demokratike e Kosovës ka dalë e dyta në zgjedhjet parlamentare të nëntë shkurtit duke marrë 22.05 për qind të votave apo 184 mijë e 499.
PDK pritet të ketë rreth 25 deputetë në Kuvendin e Kosovës, sipas këtyre rezultateve.
Vetëvendosje që doli e para me rreth 40 për qind, si parti e parë i takon të formojë institucionet, si rregull ligjor e kushtetues. Megjithatë, Bedri Hamza e ka bërë të qartë se nëse partia e Albin Kurtit dështon ta ndërtojë qeverinë, PDK e merr përsipër këtë gjë.
Më poshtë, gjeni deklaratën e tij të plotë lidhur me këtë çështje, të dhënë në një intervistë gjatë së enjtes në “Pressing”:
“Për PDK-në është rezultat për t’u vlerësuar. VV është e para në vota…çka është karakteristike e këtyne zgjedhjeve partia në pushtet ka lyp referendum dhe 500 mijë vota, e ata s’ia kanë dhënë. Qytetarët kërkuan ndryshim, dhe numrin më të madh e kanë fituar partitë në opozitë.
Bazuar në ligje e kushtetutë i takon partisë së parë që t’i krijojë institucionet. Është tepër e rëndësishme gjeopolitike dhe ekonomike të mos ketë vakum institucionalë. Presim që institucionet të krijohen në afat optimal.
Nuk është se ne detyrimisht, domosdoshmërisht e me çdo kusht presim që të jemi qeveria, mirëpo e kam shpreh gatishmërinë, dhe jam konsitent, që për neve nëse partia e parë nuk arrin për çfarëdo arsye me i kriju institucionet, ne e marrim atë përgjegjësi.
Më e preferueshme edhe më e lehtë për ne është harmonizimi i programeve me partitë që kanë qenë në opozitë”.