Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për krime lufte në Gjakovë
![Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për krime lufte në Gjakovë](https://www.periskopi.com/wp-content/uploads/2023/10/GJykata-Themelore-Prishtine-scaled-4-400x300.jpg)
Në seancën fillestare të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Jusuf Shujak është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat për krime lufte në Gjakovë.
Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Shujak e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori special Kastriot Memaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Fillimisht, meqenëse seanca e 4 shkurtit 2025 ishte shtyrë me kërkesën e mbrojtjes, për shkak se nuk ishte pajisur me të gjitha shkresat e lëndës, kryetari i trupit gjykues Lufti Shala pyeti nëse Prokuroria ka përmbushur obligimet e saj për dorëzimin e shkresave.
Lidhur më këtë, prokurori Memaj tha se Prokuroria i ka dorëzuar të gjitha shkresat e lëndës tek mbrojtja dhe se e njëjta nuk ka pasur ndonjë vërejtje.
“Prokuroria e njofton Gjykatën se i ka përmbushur të gjitha kushtet ligjore për dorëzimin e provave të cilat kanë qenë në proces të përkthimit”, tha prokuroi Memaj.
Kurse mbrojtësi i të pandehurit Shujak, avokati Ljubomir Pantoviq, tha se ai i ka pranuar shkresat e lëndës nga Prokuroria, por që klientit të tij akoma nuk i është dorëzuar aktakuza.
“Është e vërtetë zotëri kryetar, unë dje i kam pranuar shkresat e lëndës dhe nuk kam asnjë vërejtje, por kam vërejtje në faktin se të pandehurit aktkauza ende nuk i është dorëzuar”, tha avokati Pantoviq.
Mirëpo, pasi që për mbrojtjen nuk paraqiti problem kjo çështje, seanca vazhdoi me leximin e aktakuzës nga ana e prokurorit Memaj.
Paraprakisht, Memaj tha se janë bërë disa përmisime teknike sa i përketë dispozitivit të aktakuzës, ashtu që në rreshtin e parë të dispozitivit, në vend të fjalës “fshatrat e Komunës së Gjakovës”, tani e tutje do të jetë “në tërë Gjakovën”, si dhe në pikën një të dispozitivit, pas datës 10 maj 1999, shtohet “në rrugën Bajram Curri në Gjakovë”.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 24 janar 2025, i pandehuri Jusuf Shujak akuzohet se gjatë përiudhës kohore 1989-1999, në Gjakovë, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dashje shkel rregullat e të drejtës ndërkombëtare kundër personave civilë, konkretisht neni 3 të Konventës së Katërt të Gjenevës dhe nenin 4 të Protokollit shtesë II, duke kryer vrasje, dëbim dhe shkatërrime të pasurisë së lujatshme dhe të palujatshme të popullatës civile.
Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, i akuzuari Shujak, më 10 maj 1999, së bashku me pjestarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, të unifromuar dhe të armatosur dhe të ndarë në grupe të ndryshme, hyjnë në shtëpinë e M.D., në të cilin ishin duke qëndruar vetëm M., B.D., bashkëshortja e tij, një fëmijë dhe dy të zhvendosur, C.H., e I.L., të cilët ishin të strehuar përkohësisht, i urdhërojnë që të dalin jashtë, përpos M.D., i cili kishte mbetur brenda shtëpisë. Me të dalë në oborr, policët serbë i ndalojnë C.H, dhe I.L., duke ua kërkuar letërnjoftimet dhe më pas ju drejtohen me fjalët “ah ju qenkeni UÇK” dhe menjëherë kishin shtënë në drejtim të tyre duke i vrarë që të dy. Kurse një polic tjetër, hyn brenda shtëpisë, ku kishte qenë edhe M.D., duke qëlluar me armë dhe duke e vrarë.
Gjithmonë sipas aktakuzës, në dispozitivin e dytë thuhet që në kohën dhe vendin e përshkruar si në dispoztivin e parë, forcat policore dhe ushtarake serbe, me dhunë dhe nën kërcënimin e armëve, dëbuan nga shtëpitë e tyre familjen Dyla, në atë mënyrë që në ditën e incidentit derisa pjestarët e forcave policore dhe ushtarake serbe kishin hyrë në shtëpin e M.D., duke lënë të vrarë atë dhe dy persona të tjerë, ndërsa pjesën tjetër të familjes i detyruan që të largohen nga shtëpia e tyre dhe t’ju bashkohen kolonave të banorëve civilë të nacionalitetit shqiptarë dhe nacionaliteteve tjera, dhe me dhunë të largohen nga Gjakova.
Kurse, në dispozitivin e tretë të aktakuzës thuhet që i pandehuri Shujak së bashku me forcat policore dhe ushtarake serbe, plaçkitën dhe shkatrruan pasurinë e familjes Dyla, në atë mënyrë që në ditën e incidentit, pasi që vranë dhe dëbuan viktimat të përshkruara si në dispozitivin e parë dhe të dytë të kësaj aktakuze, fillimisht plaçkitën shtëpinë e familjes Dyla, dhe disa shtëpi të tjera përreth saj dhe në fund i dogjën ato, duke iu shkaktuar kështu viktimave dëm shumë të madh material.
Më këtë, Jusuf Shujak ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullatës civile”, e sanksionuar me nenin 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-RSFJ-së.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.