E sulmoi gazetarin gjatë protestave në veri, serbi Spasiç dënohet me 10 mijë euro gjobë
I akuzuari Dalibor Spasiç është dënuar me 10 mijë euro gjobë për sulmin ndaj një gazetari gjatë protestave të vitit 2023 në Veri të Kosovës.
Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, e cila e ka shpallur fajtor Spasiçin për veprat penale “sulm” dhe “pjesëmarrje në turmë që kryen huliganizëm”.
Ai e kishte sulmuar gazetarin Burim Zariqi, gjatë protestave të dhunshme të 2023-së në Veri.
Ndërsa gjyqtarja Marigona Lajqi, deklaroi se me shqiptimin e dënimit e ka marrë parasysh se me sulmin ndaj gazetarit është sulmuar liria e shprehjes, që është vlerë e mbrojtur me Kushtetutë.
“Është marrë parasysh fakti që i akuzuari nuk figuron të jetë i dënuar më herët për ndonjë vepër penale”, tha Lajqi.
Më 26 maj të 2023-së, tensionet në Veri u rritën, atëherë kur krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, kishin hyrë nën përcjelljen e policisë në ndërtesat komunale.
Për vetëm katër ditë në këtë pjesë ishin shënuar 20 sulme ndaj mediave sërish nga persona të maskuar.
Ndërkaq, më 29 maj, protestuesit u përleshën me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, nga kjo përleshje 41 trupa të KFOR-it, u lënduan edhe dhjetëra protestues.
Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe kishin kërkuar që të ndalet menjëherë dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.
Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunale nëntorin e 2022.
Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë.
Komuniteti ndërkombëtar kishte bërë përgjegjëse Kosovën për tensionet e krijuara, ndërsa Kosova dhe Serbia kanë fajësuar njëra-tjetrën.