Sylejman Selimi thotë se katër të akuzuarit kanë pasur kontakte me Adem Jasharin
![Sylejman Selimi thotë se katër të akuzuarit kanë pasur kontakte me Adem Jasharin](https://www.periskopi.com/wp-content/uploads/2025/02/687309-RqSISMli6S-468x300.jpg)
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitari i 121 i ZPS-së, Sylejman Selimi në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ngjashëm si ditëve tjera të dëshmisë së tij, dëshmitari përfaqësohet nga avokati Artan Qerkini, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Guénaël Mettraux dëshmitari tha se nuk i din kontaktet direkte të Adem Jasharit por që ai ka komunikuar me personat rreth tij dhe me grupe të ndryshëm të UÇK-së.
“Kontaktet direkte të tij nuk i di më kë i ka pas por ka pasur me shumë njerëz dhe shumë grupe se ka qenë i pari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha dëshmitari.
Serish dëshmitari u pyet se a ka pasur dijeni që përpara luftës Adem Jashari ka pasur kontakte me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm.
“Prapë po them të njëjtën gjë edhe tash edhe atëherë kur kam deklaru. Adem Jashari ka pasur kontakte me të gjithë. Unë nuk kam ditur ku ka qenë Shtabi dhe a ka ekzistu në atë kohë por ai ka pasur kontakte edh eme anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm edhe me njerëz të tjerë.
Dëshmitari pohoi se katër të akuzuarit kanë pasur kontakte me Adem Jasharin përpara periudhës së luftës.
Kryegjyqtari njoftoi se të hënën me 17 shkurt do të jetë pushim. Veç kësaj, ai njoftoi për procesverbal se të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.