Dy të arrestuar- Krejt çka dihet deri më tani për vrasjen e 42 vjeçarit në Skenderaj

Dy të arrestuar- Krejt çka dihet deri më tani për vrasjen e 42 vjeçarit në Skenderaj

Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmë edhe personin e dytë të dyshuar për vrasjen që ndodhi gjatë ditës së djeshme në Skenderaj.

Në një njoftim zyrtar, policia bëri të ditur se hetuesit e sektorit rajonal të hetimeve në Mitrovicë Jug, pas një pune intensive hetimore, kanë arritur të lokalizojnë dhe arrestojnë të dyshuarin B.I., 33 vjeç.

“I dyshuari B.I., mashkull, 33 vjeç, është arrestuar në Prishtinë dhe tek ai janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me rastin”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po ashtu, policia njofton se hetuesit, në koordinim me prokurorin e shtetit, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme proceduralo-hetimore për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

Paraprakisht, policia arrestoi edhe të dyshuarin tjetër, H.I, 62-vjeçar dhe i konfiskoi tri armë-revole.

Pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të rastit, atij i ishte caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Gjatë ditës së djeshme, viktima dhe i dyshuari për vrasje janë nga një fshat dhe e njëjta lagje.

Vrasja ka ndodhur rreth orës 13:50  të së mërkurës në një lokal në Skenderaj. Vdekja e viktimës u konfirmuar në vendin e ngjarjes nga mjekët.

Personi që mbeti i vrarë me armë zjarri në një lokal në Skenderaj është nip i ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatit.

Kështu ka njoftuar vetë Gucati, duke u shprehur i prekur thellë nga vdekja e tij.

“Nipi ynë Ismet, lajmi për vdekjen tënde na preku thellë të gjithë, u largove nga kjo botë në vitet e tua më të mira, ishe ai djali energjik, për të gjithë gjeje kohë, humori yt ishte briliant, kështu si të njohem do të mbajmë mend për atë djalin më humorin më të mirë dhe më një zemër të pastër”, ka shkruar Gucati.

Shpërndaje në: