“Mbete i pakënaqur nga leja e ndërtimit”- Veliaj, prokurorit të SPAK: E ke personale
![“Mbete i pakënaqur nga leja e ndërtimit”- Veliaj, prokurorit të SPAK: E ke personale](https://www.periskopi.com/wp-content/uploads/2025/02/veliaj-381x300.jpg)
Janë zbardhur detaje nga seanca me dyer të mbyllura për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Burime nga seanca bëjnë të ditur se Veliaj i është drejtuar prokurorit Ols Dado me akuza për konflikt interesi, duke e akuzuar se ka një çështje personale ndaj tij.
“Ti je në konflikt interesi, e ke personale me mua. Më je paraqitur dhe ke përfituar leje ndërtimi nga ana ime. Pasi ke mbetur i pakënaqur, më ke thënë ‘do ta mbash mend’. Ke dy rrugë: ose të largohesh nga kjo çështje, ose të rreshtohesh me ndërtuesit e tjerë këtu”, mësohet të ketë thënë Veliaj gjatë seancës, raporton euronews.
Në këtë moment, gjyqtari Erjon Bani i ka tërhequr vëmendjen kryebashkiakut për tonin e tij dhe i ka kërkuar të ruajë solemnitetin në sallën e gjyqit.
Kujtojmë se që prej orës 08:30 në ambientet e GJKKO po mbahet seanca për verifikimin e masës së sigurisë për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe 5 biznesmenët.
Fillimisht seanca u shty me 5 orë pas kërkesës së avokatëve të Veliaj që kërkuan kohë të njihen me fashikujt e prokurorisë. Veliaj u shoqërua nga Blloku i Sigurisë drejt GJKKO me fugon policie, ndërkohë që Xoxa që ndodhet në arrest shtëpie u shoqërua nga dy policë.
Në ndërkohë, gjatë kohës që në gjykatë zhvillohej procesi, disa qindra mbështetës të Veliaj u mblodhën përballë godinës së gjykatës për përkrahjen morale ndaj kryebashkiakut.
Veliaj akuzohet nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash pas një kallëzimi të bërë prej tij nga shtetasi i vetëidentifikuar si Nesti Angoni.