AVONET: KQZ po dështon në administrimin dhe menaxhimin e procesit të numërimit të votave
![AVONET: KQZ po dështon në administrimin dhe menaxhimin e procesit të numërimit të votave](https://www.periskopi.com/wp-content/uploads/2021/11/Votat-2-600x360-1.jpg)
Rrjeti i organizatave joqeveritare AVONET është deklaruar i shqetësuar në lidhje me zhvillimet e fundit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për numërimin e votave të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në reagim AVONET thekson se KQZ-ja si organ i pavarur kushtetues po dështon të realizoj me sukses detyrimet dhe përgjegjësitë e saja kushtetuese dhe ligjore.
“Sot, me datë 12.02.2025 me qëllim të vëzhgimit të procesit të numërimit të votave dhe ruajtjes së fletëvotimeve, në kuptim të nenit 4, paragrafit 1, nënparagrafit 1.3. të Rregullores Zgjedhore Nr. 08/2024 për Vëzhguesit e Zgjedhjeve, AVONET vizitoi Qendrën Komunale të Numërimit në Ferizaj, ku evidentoi se procesi i numërimit të votave të kandidatëve ende nuk ka filluar”.
Pas kësaj AVONET shton se shprehin pakënaqësinë e thellë në lidhje “me papërgjegjshmërinë dhe mos administrimin e duhur të procesit të numërimit të votave për kandidatët e subjekteve politike nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.
“Sipas nenit 6, paragrafit 2 të Rregullores Zgjedhore Nr. 16/2024 për Qendrat Komunale të Numërimit, procesi i numërimit të votave të kandidatëve fillon në orën 08:00, në mëngjesin e ditës së nesërme, pas ditës së zgjedhjeve. Pra, ky numërim do duhej të fillohej menjëherë me datë 10.02.2025, por ende deri sot me datë 12.02.2025 ky numërim nuk ka filluar”.
“Kjo shkelje e rregullave zgjedhore të përcaktuara nga vetë KQZ-ja përbën një sjellje të rrezikshme dhe të papërgjegjshme e cila mund të ndikoj jashtëzakonisht negativisht në procesin demokratik të zgjedhjeve”.
AVONET i bën thirrje KQZ-së, që në mënyrë urgjente të ndërmarrë hapat e detyrueshëm ligjor dhe kushtetues, në mënyrë që të garantojë se në kuadër të procesit zgjedhor po zbatohet në tërësi kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e këtij procesi.