Rezultati i zgjedhjeve s’e përjashton mundësinë e krizës institucionale

Rezultati i zgjedhjeve s’e përjashton mundësinë e krizës institucionale

Ndërsa Kosova përpunon ende rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, analistët politikë tërheqin vërejtjen se vendi mund të rrëshqasë drejt krizës institucionale.

Kjo krizë bën që institucionet e shtetit të mos funksionojnë normalisht dhe të mos arrijnë t’i përmbushin detyrat e tyre kushtetuese dhe ligjore.

“Unë nuk shoh mundësi që Qeveria e Kosovës të formohet së shpejti”, thotë për Radion Evropa e Lirë Donika Emini nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit.

“Kjo, për shkak se partitë duhet të ulen të negociojnë dhe negociatat do të marrin shumë kohë. Nuk pritet të jetë një proces i lehtë”, sipas saj.

Çfarë sollën zgjedhjet e 9 shkurtit?

Me mbi 99 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti prin me rreth 40 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me rreth 22%, Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 17% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma me rreth 7%.

Për formimin e qeverisë së re, partia fituese duhet t’i ketë 61 deputetë, e që aktualisht asnjëra nuk i ka.

Shifrat, megjithatë, mund të ndryshojnë pas numërimit të votave me kusht dhe të diasporës.

Në mandatin e kaluar katërvjeçar, Kurti ka qeverisur me partitë e pakicave joserbe.

Pas shpalljes së fitores në zgjedhjet e 9 shkurtit, ai ka shprehur bindjen se Vetëvendosja e tij do ta formojë qeverinë në mënyrë të pavarur.

Pas zgjedhjeve, partitë tash në opozitë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me Vetëvendosjen. Gjatë fushatës parazgjedhore, një mundësi të tillë e ka hedhur poshtë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ramush Haradinaj i AAK-së ka shpalosur edhe idenë e formimit të qeverisë nga opozita, por nuk ka marrë përgjigje prej PDK-së e LDK-së.

Disa përfaqësues të partive të komuniteteve pakicë, ndërkaq, kanë thënë se do ta mbështesnin parimisht cilindo mandatar për formimin e qeverisë së re.

“Pritje edhe dy-tre muaj apo më gjatë”

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se ka rrezik real që Kosova të futet në krizë institucionale.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai vë në pah retorikën fyese dhe dëbuese, që, sipas tij, përdor para të gjithëve kryeministri Kurti.

Në fjalimin pas fitores, Kurti ka përdorur shprehje denigruese në drejtim të partive opozitare.

“Ato mund të kuptohen si mesazh që Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë dëshirë, në asnjë rrethanë, që të bëjë koalicion me partitë shqiptare. Kjo është një mënyrë e përçarjes”, thotë Miftaraj.

Ai shton se do të duhen së paku dy muaj apo dy muaj e gjysmë, për të kuptuar nëse do të ketë qeveri të re, apo vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në tryezë të bisedimeve, thotë ai, do të jenë matematika të ndryshme. Ai nuk e përjashton mundësinë që partitë shqiptare në opozitë ta formojnë qeverinë e re, duke bërë pjesë të koalicionit komunitetet joshumicë – pa serbët.

Emini ka pritje të ngjashme – ajo mendon se nuk do të ketë formim të qeverisë së re së paku deri në verë, marrë parasysh rezultatet që kanë prodhuar zgjedhjet.

“Fjalimi toksik ndaj opozitës tregon që Kurti, në njëfarë mënyre, e kishte për qëllim që ta antagonizonte opozitën dhe ajo t’i refuzonte negociatat me të… Por, edhe për opozitën është e vështirë, sidomos për LDK-në, e cila ka qenë në koalicion [me Kurtin] dhe ka përjetuar rënien me të madhe gjatë asaj kohe”, thotë Emini.

As ajo nuk e përjashton mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja, nëse partitë nuk arrijnë të dakordohen, por thotë se ato nuk do të ishin zgjidhje e mençur, marrë parasysh se Kosova, këtë vit, mban edhe zgjedhjet lokale.

“Unë nuk mendoj se përsëritja e zgjedhjeve mund të sjellë ndonjë rezultat. Ajo që mund të sjellin zgjedhjet e tilla, është mosadalja e qytetarëve dhe kështu do të përsëritej një proces me rezultate të ngjashme. Do të ishte humbje kohe dhe humbje e jashtëzakonshme e resurseve”, thotë Emini.

Sipas saj, Kosova nuk e ka luksin për zgjedhje të tilla edhe për shkak të dinamikave në botë dhe pritjeve prej saj, sidomos sa i përket rinisjes së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Brendapërbrenda, ndoshta do të mund të funksiononim disi, mirëpo në politikën e jashtme do të kishim pasoja serioze”, thotë Emini.

Çka ndodh tash?

Në Ligjin për zgjedhjet në Kosovë nuk është i përcaktuar ndonjë afat kohor se kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet t’i shpallë rezultatet përfundimtare.

Deri më tash, janë evidentuar disa shkelje në procesin e numërimit të votave për kandidatët për deputetë, si dhe ka pasur pengesa të qasjes në ueb-faqen e KQZ-së.

Kurdo që të bëhet numërimi i të gjitha votave nga KQZ-ja dhe certifikimi i rezultateve, presidentja e Kosovës thërret seancën konstituive të Kuvendit brenda 30 ditësh nga shpallja e rezultateve.

Deputetët betohen dhe zgjedhin kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët.

Pas kësaj procedure, presidentja i jep mandatin për formimin e qeverisë kandidatit të propozuar nga partia ose koalicioni fitues.

Kandidati për kryeministër propozon përbërjen e qeverisë dhe programin qeverisës.

Qeveria votohet nga Kuvendi me shumicën e thjeshtë të votave (50% + 1 deputetë të pranishëm).

Sipas Nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës, nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë ditësh, emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre.

A ka pasur kriza më herët?

Kosova ka pasur disa bllokada institucionale, kryesisht për shkak të mungesës së konsensusit politik.

Një e tillë ndodhi pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2014.

Atëkohë, PDK-ja që doli e para, nuk arriti të siguronte shumicën për krijimin e qeverisë.

Koalicioni opozitar LDK-AAK-Nisma e sfidoi të drejtën e PDK-së për të propozuar kryetarin e Kuvendit, por Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të PDK-së dhe e detyroi koalicionin opozitar të bënte marrëveshje me PDK-në.

Pas disa muajsh bllokadë u arrit një marrëveshje për bashkëqeverisje mes PDK-së dhe LDK-së, që e solli Isa Mustafën në postin e kryeministrit.

Në vitin 2020 kishte po ashtu një krizë pas rrëzimit të Qeverisë së parë të Kurtit. Në mars të atij viti, vetëm pas disa javësh në detyrë, qeveria e tij u rrëzua pas një mocioni të mosbesimit, të iniciuar nga partneri i koalicionit, LDK.

Presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, i dha mandatin për formimin e qeverisë Avdullah Hotit nga LDK-ja, pa shpallur zgjedhje të reja.

Megjithatë, kjo qeveri u përball me sfida të mëdha politike dhe ligjore dhe, pas disa muajsh, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në fund të vitit 2020, për shkak të një votimi jokushtetues nga deputeti Etem Arifi.

Zgjedhjet e reja u mbajtën në shkurt të vitit 2021 dhe Vetëvendosje fitoi mbi 50 për qind të votave.

Zgjedhjet e 9 shkurtit ishin të parat të rregullta që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008./RadioEvropaeLirë

Shpërndaje në: