Selimi: S’e kam ditur që Syla ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së
![Selimi: S’e kam ditur që Syla ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së](https://www.periskopi.com/wp-content/uploads/2025/02/selimi-523x300.png)
Sylejman Selimi gjatë dëshmisë së tij në Hagë deklaroi se nuk e ka ditur që Azem Syla ishte komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ndërsa, tha se ka dijeni që Jakup Krasniqi dhe Sokol Bashota ishin emëruar zëvendëskomandantë.
“Nuk e kam ditur që Azem Syla ka qenë komandant i përgjithshëm”, tha Sylejman Selimi, pasi iu prezantua një artikulli i një medie ndërkombëtare që fliste për Sylën, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, pyeti dëshmitarin se si ka mundësi që ndërkombëtarët e dinin që Azem Syla ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së ndërsa vetë ai si komandant i Zonës së Drenicës nuk kishte njohuri.
“Unë nuk kam koment. Nuk e di. Jo vetëm unë por edhe shumë komandantë të zonave që në takimin që e kemi pasur, që Azem Syla është komandant i përgjithshëm”, tha Selimi.
Më pas, Selimit iu prezantua një dokument i një takimi që supozohet që është mbajtur më 6 shkurt 1999. Ky dokument ishte procesverbali i atij takimi për të cilin Zyra e Prokurorit të Specializuar sipas Mishetiqit ka thënë se është sekuestruar nga shtëpia e Rexhep Selimit.
Mishetiq tregoi që sipas dokumentit, në këtë takim pjesëmarrës ishin komandantët e zonave operative si Ramush Haradinaj, Rrustem Mustafa-Remi, Ekrem Rexha dhe Syla.
Ndërsa si përfaqësues të Shtabit të Përgjithshëm, dokumenti tregonte, sipas Mishetiqit, që ishin Rexhep Selimi dhe Bislim Zyrapi.
“Datën nuk po e di saktë, por nuk më kujtohet një takim i tillë”, tha Selimi.
Sipas Mishetiq, dokumenti thoshte që personi me emrin Syla kishte thënë se emërimet që janë bërë nga Shtabi i Përgjithshëm janë shqetësuese sidomos për emërimin e Sokol Bashotës dhe Jakup Krasniqit si zëvëndëskomandantë.
Ai gjithashtu kishte thënë se Sokol Bashota nuk është i përshtatshëm për këtë vend dhe se Shtabi i Përgjithshëm i ka shpërfillur kërkesat që ia kanë bërë komandantët e zonave për këtë çështje.
Ndërsa, për Jakup Krasniqin, Syla kishte thënë se nuk është personi i duhur për zëvendëskomadnat dhe se për emërimet në Shtab duhej të konsultoheshin ata. Madje, ky person kishte thënë se ata që kanë marrë armët për të luftuar nuk po merren parasysh.
Si rrjedhojë, Mishetiq kërkoi të informohet se kush identifikohej si Syla në këtë takim dhe se a ishte ai dëshmitari.
“E para, e kam pasur edhe emrin edhe pseudonimin. Megjithatë, unë këtë shkrim dhe këtë takim nuk e di se kur është mbajtur dhe si është mbajtur. Nuk më kujtohet”, tha Selimi.
Po ashtu, Mishetiq ripërsëriti se sipas procesverbalit, Syla ka thënë se Sokol Bashota dhe Jakup Krasniqi nuk e meritojnë rolin e e zëvëndëskomandantit.
“Është e saktë që për Jakupin dhe Sokolin e kemi ditur që ishin dy zëvendëskomandantë”, tha Sylejman Selimi.
Për të qenë zëvendës, Mishetiq tha se duhej të kishte edhe komandant. Me këtë, u pajtua edhe dëshmitari.
“Siç po e kuptoj dëshminë tuaj, ju po thoni që si pjesëmarrës në takim ju e dinit që ekzistonte një komandat kryesor por që nuk e dinte që ishte Azem Syla”, i tha Mishetiq dëshmitarit.
Prokurori Matt Halling kundërshtoi pyetjen, duke thënë se Mishetiq po e shtrembëron deklaratën e dëshmitarit.
Megjithatë, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, tha se realisht kjo ishte ajo që saktësisht po e thoshte dëshmitari.
“Kemi bërë pyetje, të paktën mua nuk më është thënë. Këtë takim nuk e di se kur ka ndodhur dhe nuk ka procesverbal që është mbajtur. Është mbajtur një shkrim se kush e ka mbajtur Rexha apo kush. Mua asnjëherë nuk më është thënë se komandant i përgjithshëm është Azem Syla”, u përgjigj Selimi.
Dëshmitari sërish mohoi t’i kujtohej që është mbajtur ky takim.
“E di që kanë qenë zëvendëskomandantë dhe nuk e di që ka pasur komandant të përgjithshëm. Unë e di që Azem Sylën e kam njohur si personi ‘daja’, por kam mendu gjithmonë që ka qenë në Logjistikë”, tha Selimi.
Më pas, Mishetiq pyeti dëshmitarin se si ishte e mundur që organizata të kishte zëvendëskomandant dhe të mos dihej se kush ishte komandanti.
“Nga pikëpamja organizative ka shumë pakuptime edhe në vetë Shtabin e Përgjithshëm pasi që nuk janë ditur shumë funksione dhe detyra se çfarë i kanë… asnjë urdhëresë, asnjë detyre prej komandantit në këtë kohë nuk ka pas dhe nuk është ditur se kush është sa i përket meje si komandant i Zonës së Drenicës”, tha Selimi.
Megjithatë, dëshmitari pajtohet se për organizim më të mirë, duhet të konsultoheshin edhe komandantët e zonave për emërimet në Shtabin e Përgjithshëm.
“Sepse komandantët e zonave e kanë pasur përgjegjësinë në terren. Ka qenë e rëndësishëm për zhvillimin dhe organizmin e mëtejshëm të vet strukturës së UÇK-së dhe Shtabit të Përgjithshëm në veçanti”, tha Sylejman Selimi.
Në një takim të ngjashëm, sipas Mishetiq, në një dokument thuhet se Sami Lushtaku ka thënë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë përgjegjës për këtë gjendje që ishin sa i takon udhëheqësisë së Shtabit të Përgjithshëm.
Për këtë, Sylejman Selimi tha se secili ka mundur ta japë mendimin e vet qoftë edhe për Rexhep Selimin si familjar i dëshmitarit.
Në anën tjetër, në pranverën e 1998-ës një nga personat që njihte, dëshmitari pohoi se ishte Hashim Thaçi. Megjithatë, Selimi mohoi se dinte rolin e tij në Shtabin e Përgjithshëm, por se mendonte që ka qenë përfaqësues politik aty.
Dëshmitari tha se i kujtohet që vetëm Bislim Zyrapi i ka lëshuar urdhra atij nga Shtabi i Përgjithshëm dhe jo ndonjë person tjetër.
Në një takim tjetër, Mishetiq tha se sipas dokumentit, Ramush Haradinaj kishte propozuar që Sylejman Selimi të ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së.
“Se di a ai (Ramush Haradinaj) apo Samia (Sami Lushtaku) kanë propozu që unë të jem komandant i përgjithshëm”, tha dëshmitari.
Dëshmitari Selimi mohoi se ka pasur brigadë me emrin “Hasan Prishtina” në Drenicë. Ndërsa, kur u pyet nëse LDK-ja ka pasur ndonjë problem në këtë zonë me UÇK-në, dëshmitari tha se nuk i kujtohet.
“Ka pasur mos-sqarime rreth takimit të parë në Rambuje në konferencën e Rambujesë”, tha ai, kur u pyet se a është e vërtetë që si komandant i zonës kishte pakënaqësi për këtë konferencë.
Dëshmitari pohoi se qëndrimi i tij për këtë konferencë ishte që pika e bisedimeve duhet të çonte në pavarësinë e Kosovës.
Ndryshe, në një pjesë të seancës, palët shkuan në pushim për shkak të problemeve teknike me transkriptin. Në anën tjetër, seanca vazhdimisht ka pasur probleme teknike me transmetimin.