Apeli vërteton vendimin e Themelores për hudhjen poshtë të aktakuzës për tri vepra penale ndaj Mihajloviqit

Apeli vërteton vendimin e Themelores për hudhjen poshtë të aktakuzës për tri vepra penale ndaj Mihajloviqit

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për hudhjen e aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për tri vepra penale ndaj Milan Mihajloviq, i akuzuar për përfshirje në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Mihajloviq më 27 dhjetor 2023 për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, “Pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare” dhe “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Kanosje”. Gjykata e hudhi aktakuzën për tri veprat e para.

Sipas aktakuzës, Mihajloviq në bashkëpunim me Nedelkjo Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, duke vepruar nën udhëheqjen e Zvonko Veselinoviqt dhe Milan Radojçiqit, secili kishin kryer veprime kriminale për të arritur deri të vrasja e Oliver Ivanoviqit.

Çka thotë vendimi i Apelit me të cilin vërtetohet hudhja e aktakuzës për tri vepra penale ndaj Mihajloviq?

Fillimisht, në arsyetimin e vendimit të Apelit thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, kishte nxjerrë aktvendim, me të cilin ka hudhur aktakuzën e Prokurorisë Speciale për veprat penale të lartcekura, ndaj të akuzuarit Mihajloviq.

Kundër këtij vendimi, brenda afatit ligjor, ka ushtruar ankesë Prokuroria Speciale për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës penale dhe vlerësimit të gabuar të gjendjes faktike, me propozimin që Gjykata e Apelit ta aprovojë ankesën, të anulojë aktvendimin e atakuar dhe lëndën ta kthejë në shkallë të parë në rivendosje.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Mihajloviq, avokati Miodrag Bërkljaq, ka ushtruar përgjigje në ankesë, duke i propozuar Gjykatës së Apelit, që të refuzojë ankesën e Prokurorisë Speciale, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë të vërtetohet.

Andaj, Gjykata e Apelit, pasi shqyrtoi shkresat e lëndës dhe vlerësoi pretendimet ankimore, gjeti se ankesa e PSRK-së është e pabazuar.

Sipas Apelit, pretendimet ankimore janë të pabazuara dhe si të tilla nuk qëndrojnë, ngase gjykata e shkallës së parë në arsyetimin e aktvendimit të ankimuar ka dhënë arsyet e qarta dhe konkrete, dhe sikurse rezulton nga shkresat e lëndës, në këtë çështje penale kemi të bëjmë me një akuzë të ngritur nga ana e PSRKS-së në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale.

Andaj, kolegji i kësaj gjykate vlerëson se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejt dhe ligjshëm duke hedhur aktakuzën, dhe ka pushuar procedurën penale, për shkak se aktakuza është ngritur pas afatit të paraparë ligjor.

Sipas vendimit të Apelit, thuhet se kolegji penal i kësaj gjykate e gjen si të pabazuar pretendimin ankimor të Prokurorisë se në këtë rast nuk ka shkelje të afateve ligjore me rastin e ngritjes së aktakuzës ndaj të pandehurit Milan Mihajloviq, me arsyetimin se bazuar në logjikën juridike dhe dispozitave ligjore në momentin kur ngritet aktakuza për disa persona, dhe në të njëjtën çështje kemi të pandehur që nuk është përfshirë në aktakuzë, ose duhet të ketë aktvendim për pushimin e hetimeve ose pezullim të hetimeve.

Andaj, sipas vendimit të Apelit, në mungesë të aktvendimit për pezullimin e hetimeve për të pandehurim Mihajloviq, rrjedh se në këtë çështje penale nuk është zhvilluar procedura e hetimeve konform dispozitave të KPP-së, sepas ndaj të pandehurit pas marrjes se aktvendimit për zgjerim të hetimeve nuk janë pezulluar asnjëherë hetimet, andaj afati i zhvillimeve të hetimeve ka rrjedhur nga viti 2019.

Prandaj, theksohet se Prokuroria në këtë rast kishte vepruar në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale kur kishte rifilluar hetimet ndaj të pandehurit, duke qenë se nuk kishte marrë asnjëherë aktvendim për pezullimin e hetimeve, e si pasojë edhe akuza e ngritur nga PSRK-ja, është në kundërshtim me afatet ligjore të përcaktuara sipas nenit 157 të KPP-së.

Çka përmban aktakuza e PSRK-së ndaj Milan Mihajloviq?

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Mihajloviq akuzohet për pjesëmarrje në grupin kriminal të organizuar, pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare, kanosje dhe për falsifikim të dokumenteve.

Akuza thotë se i njëjti, nga viti 2014 e tutje, si anëtar i grupit të organizuar dhe i strukturuar kriminal së bashku me Nedelkjo Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, duke vepruar nën udhëheqjen e Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, me role të caktuara dhe në bashkëpunim ndërmjet vete kanë vepruar për një periudhë të gjatë kohore, ku secili nga të pandehurit kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllime të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi ka ardhur deri tek vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Dispozitivi i parë i akuzës kundër Mihajloviq thotë se i njëjti më 2 mars 2019, në Mitrovicë, derisa ishte duke u zhvilluar procedura penale për disa nga të akuzuarit, me qëllim të nxitjes së dëshmitarit B1 për të refuzuar dhënien e dëshmisë në procedurë paraprake, e që paraprakisht kishte dijeni se është dëshmitar anonim në këtë proces, ku gjatë bisedës në lidhje me vrasjen e Ivanoviqit i ka thënë “Mos u bë i marrë, mos më lidh mu me këtë punë”.

Ndërsa, kur i kishte thënë se “ti e din shumë mirë se kush po i kryen këto vrasje, këto krime”, i pandehuri Mihajloviq e ka kanosur me fjalët “Mos i përmend këto gjëra, se për këto të shkon edhe koka sepse pas këtyre gjërave qëndrojnë forcat e fuqishme shtetërore”.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 283, paragrafi1 lidhur me veprën penale “Pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare”, nga neni 394, paragrafi 1, nënparagrafi 1.7 lidhur me paragrafët 4 dhe 5 të KPRK-së.

Ndërkaq, dispozitivi i dytë i akuzës thotë se Mihajloviq më 25 tetor 2021, përmes telefonit e ka kanosur seriozisht personin zyrtar, hetuesin e Inspektoriatit Policor të Kosovës (IPK), tani të dëmtuarin Zhivorad Jovanoviq, në atë mënyrë që Mihajloviq përkundër që kishte urdhërarrest aktiv, ishte intervistuar nga Policia e Kosovës në Mitrovicë dhe ishte liruar dhe për këtë arsye IPK kishte filluar hetimet ndaj zyrtarëve policorë të cilët e kanë liruar të njëjtin.

Tutje, në dosje thuhet se me të kuptuar se IPK ka filluar hetimet ndaj policëve, i pandehuri Mihajloviq përmes telefonit e kërcënon me fjalët “E kam siguruar numrin e telefonit tuaj, e di se ku jeton dhe i di të gjitha lëvizjet e tua, kush je ti që më ndjek mua, keni me pa se si do të përfundoni”, me ç’rast ka shkaktuar frikë tek zyrtari hetues i IPK-së.

Me këto veprime, Mihajloviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosje”, nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Tutje, sipas dispozitivit të tretë të kësaj akuze, Mihajloviq akuzohet se më 19 tetor 2022, në Mitrovicë, derisa njësitë policore ishin duke kryer arrestimin e tij sipas urdhërarrestit të lëshuar nga Gjykata, i njëjti prezantohet se nuk është personi Milan Mihajloviq, por që është një tjetër person me emrin Zvezdan Andrejiq.

Mirëpo, gjatë kontrollit të njëjtit i është gjetur edhe letërnjoftimi i Republikës së Serbisë, i falsifikuar në emër të Zvezdan Andrejiq por me foto të tij, të cilin e kishte përdoruar me qëllim të mos arrestimit të tij.

E me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”, nga neni 390, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Ndryshe, në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 28 qershor 2024 janë dënuar me mbi 22 vite burgim Nedelkjo Spasojeviq, Marko Roshiq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ndërkaq është liruar nga akuza Silvana Arsoviq. E për Rade Basara ishte nxjerrë aktgjykim refuzuar pasi që PSRK kishte hequr dorë nga ndjekja penale.

Shpërndaje në: